2014-05-20 13:28:42

Traktat i devocionit të vërtetë për Marinë: “Pushteti i Marisë”. par. 41, 42, 43


Na çon në botën e vegimit, sot, “Traktati i devocionit të vërtetë për Marinë”, shkruar nga Shën Luigji Maria Grignion de Monfort, të cilin e zgjodhëm si prijës të meditimeve për majin e Zojës. Na flet për shkallën, që e pa në vegim Shën Françesku, e Demonin, që detyrohet ta lavdërojë devocionin ndaj Marisë, ndonëse e urren. E edhe të pranojë se vetë Hyji e la në dorë të saj njeriun, fatin e tij. Këtë na kujtojnë paragrafet 41, 42 e 43 nga kapitulli i ri “Pushteti i Marisë”.RealAudioMP3

41. Figurat dhe tekstet e Besëlidhjes së Vjetër e provojnë, mësimet dhe shembujt e shenjtorëve e vërtetojnë, arsyeja e përvoja e mësojnë dhe e dëshmojnë, demoni vetë, me gjithë ndjekësit e tij, i shtyrë nga forca e së vërtetës, shpesh detyrohet, pa dashur, ta njohë. Nga të gjitha fragmentet, shkëputur prej Etërve e Doktorëve, me të cilat kam hartuar një përmbledhje shumë të pasur, për ta provuar këtë të vërtetë, po sjell këtu një të vetëm, për të mos u zgjatur tepër. Thotë Shën Gjoni prej Damaskut: “Devocioni për Marinë është armë shpëtimi, që na e jep vetë Hyji, sepse dëshiron të na shikojë të shëlbuar”.

42. Mund të radhisja këtu një mori faktesh, që provojnë të njëjtën gjë. Por po sjell vetëm dy. Njëri, që kujtohet në Rrëfimet e Shën Françeskut, tregon sesi Shenjti pa, në ekstazë, një shkallë të madhe, që çonte në qiell; në majë të saj, ishte Virgjëra e Shenjtë. E ai dëgjoi, në vegim, një zë, që i kujtoi se pa fjalën e saj, askush nuk mund të ngjitet atje, ku jeta kthillet.
Tjetri, që e lexojmë në kronikat e Shën Dedës, tregon sesi Shenjti po predikonte Rruzaren pranë Karkasonit, kur u takua me një heretik mjeran, shpirti i të cilit qe pushtuar nga pesëmbëdhjetë mijë djaj. Këta, me urdhërin e Virgjërës së Shenjtë, u detyruan të pranojnë, të kapur në vorbullën e një pështjellimi të papërballueshëm, shumë të vërteta të mëdha e ngushëlluese lidhur me devocionin për të; e e bënë këtë me aq fryt e qartësi, sa edhe kush nuk ka pikë devocioni, nuk mund ta lexojë, pa derdhur lot gëzimi, këtë rrëfim të vërtetë e këtë lavdërim, që vetë demoni u detyrua t’i bëjë, krejt pa dashur, devocionit ndaj Marisë.
43. Në qoftë se devocioni ndaj Virgjërës së Shenjtë u nevojitet të gjithëve thjesht për t’u shëlbuar, aq më tepër u duhet atyre, që janë të thirrur për përsosuri të posaçme. Mua nuk më besohet se njeriu mund të arrijë bashkimin e thellë me Jezu Krishtin Zot e besnikërinë e përkryer ndaj Shpirtit Shenjt, nëse nuk është i bashkuar fort me Virgjërën Mari e nuk ka ndihmë të fuqishme prej saj.







All the contents on this site are copyrighted ©.