2014-05-20 16:01:45

Përmbytjet në Ballkan: dhjetra të vdekur, mijëra të shpërngulur


Më shumë se 40 viktima, por nuk dihet numri i saktë, dhe 30 mijë vetë të shpërngulur: ky është bilanci i përmbytjeve të ditëve të fundit në Bosnjë-Hercegovinë e në Serbi, ku sot filloi një triditësh zie kombëtare. Është fatkeqësia më e madhe natyrore në Ballkan, që prej 120 vjetësh. Janë shkatërruar shtëpi, infrastruktura, rrugë, ura, hekurudha; zona të tëra janë akoma nën ujë. Mijëra rrëshqitje dheu e keqësojnë situatën dhe pengojnë ndihmat. Kanë dalë në sipërfaqe edhe minat, më të cilat është mbjellur terreni gjatë luftës së viteve ’90. Gjithnjë alarm për lumin Sava, i cili mund të dalë nga shtrati nga çasti në çast. Në aksion Karitasi dhe vullnetarë nga i gjithë Ballkani, edhe nga Kosova, siç na thotë vikari i përgjithshëm, don Lush Gjergji:
Edhe në Kosovë lindi një nismë solidariteti për këto popullsi, përmes forcave të Eulex-it e organizmave të ndryshme, sidomos Karitasit. Shohim se njerëzit janë të mirë, kanë zemër. Por nuk duhet të presim vetëm këto ngjarje me përmbytje apo tërmete, për të zgjuar tek njerëzit dëshirën për të ndihmuar, për t’u qëndruar afër nevojtarëve. …Duhet të shprehim ç’kemi më të mirë, siç do të thoshte Nënë Tereza: e kjo do të thotë të dhurojmë dashuri, të ofrojmë solidaritet, mirëkuptim, të ndajmë ç’kemi me të tjerët. Shpresojmë kështu, të konsolidojmë më shumë vëllazërimin, dialogun ekumenik dhe dialogun ndërfetar.







All the contents on this site are copyrighted ©.