2014-05-20 13:28:19

Papa: paqja e Jezusit nuk janë sendet, por është Vetje, është Shpirti Shenjt


Kush e pranon në zemrën e vet Shpirtin Shenjt, do të ketë një paqe të qëndrueshme e pa fund, në ndryshim nga ata, që i besojnë qetësisë së realizuar me anë të parave e pushtetit. Ky qe mësimi i sotëm i Papës Françesku, gjatë homelisë në Shtëpinë e Shën Martës.RealAudioMP3
Paqja e gjërave –paratë, pushteti, kotësitë – dhe paqja e një Vetjeje, ajo e Shpirtit Shenjt. E para, gjithnjë me rrezik të avullohet – sot je i pasur e dikushi, nesër jo – e dyta, që askush nuk mund ta zhdukë, prandaj është paqe e përhershme. Homelia e Papës është si kalim ndërmjet dy brigjeve të një prej dëshirave më të mëdha të njerëzimit, në çdo kohë. Ati i Shenjtë mori shkas nga pjesa e Ungjillit të shën Gjonit, që propozon liturgjia e sotme. Jezusi po përgatitet për t’i bërë ballë Mundimeve e para se të shkojë, u thotë dishepujve: “Ju lë paqen Time”. Ajo, vërejti Papa, ndryshon krejtësisht nga paqja e kësaj bote, sepse gjërat me të cilat sigurojmë një farë qetësie në jetë, na kënaqin deri në një pikë të caktuar, por jo më tej:
“Për shembull, na ofron paqen e pasurisë: “Unë jam në paqe, sepse kam sistemuar gjithçka për të jetuar mirë gjithë jetën, nuk duhet të shqetësohem për asgjë…”. Kjo është paqja, që na jep bota. Nuk shqetësohesh, nuk ke probleme, sepse ke shumë para… Paqja e pasurisë. E Jezusi na thotë të mos kemi besim në këtë paqe, sepse me realizëm të madh, vëren: ‘Shikoni se ka edhe hajdutë… Hajdutët mund ta vjedhin pasurinë!’. Nuk është përfundimtare, paqja që të japin paratë. Mendoni se edhe metali mund të ndryshket, apo jo? Ç’do të thotë kjo? Bie Bursa e të gjitha paratë fluturojnë! Nuk është paqe e sigurtë: është paqe në sipërfaqe, është e përkohshme”.
E me të njëjtin ton, Papa Françesku vë në kandar dy lloje të paqes së botës. E para, ajo e “pushtetit”, e cila mund edhe të mos respektohet aspak: një grusht shteti e të rrëshqet nga dora. Mendoni, tha Ati i Shenjtë, ku përfundoi “paqja e Herodit”, kur Mbretërit Dijetarë i thanë se kishte lindur Mbreti i Izraelit. Ose paqja e “kotësive”, që Papa Françesku e quajti paqja e konjukturave: sot të vlerësojnë, nesër të pështyjnë, ashtu si Jezusin, nga e Diela e Larit në të Premten e Madhe. Paqja, që dhuron Jezusi, ka tjetër brumë:
“Paqja e Jezusit është Vetje, është Shpirti Shenjt! Ditën e Ringjalljes, Ai shkoi në Çenakull e përshëndeti: ‘Paqja qoftë me ju. Merrni Shpirtin Shenjt’. Kjo është paqja e Jezusit: është Vetje, një dhuratë e madhe. E kur Shpirti i Shenjtë hyn në zemrën tonë, askush nuk mund t’ia heqë më paqen. Askush! Është paqe e përhershme! Cila është detyra jonë? Ta ruajmë këtë paqe. Ta ruajmë! Është paqe e madhe, paqe, jo e imja, por e një Personi (Vetje) tjetër, i cili ma dhuron, e një Vetjeje, që ndodhet brenda zemrës e më shoqëron për gjithë jetën. Zoti ma ka dhënë!”.
Kjo paqe merret me anë të Pagëzimit e të Krezmimit, kujtoi Papa Sakramentet e Shenjta. Pranohet njësoj si fëmija kur merr një dhuratë, pa vënë kushte, me zemër të hapur. E Shpirti Shenjt ruhet brenda vetes, pa e vënë në kafaz, theksoi Papa, por duke i kërkuar ndihmë kësaj “dhurate të madhe” të Zotit:
“Nëse ju keni këtë paqe të Shpirtit, nëse keni Shpirtin Shenjt brenda vetes e jeni të vetëdijshëm për këtë, mos e prishni aspak zemrën. Jini të sigurtë! Shën Pali thoshte se për të hyrë në Mbretërinë e Qiellit, është e nevojshme të kalojmë shumë mundime. Por të gjithë, të gjithë ne kemi shumë, të gjithë! Dikush më pak e dikush më shumë… ‘Por mos e shqetësoni zemrën’: kjo është paqja e Jezusit. Prania e Shpirtit Shenjt bën ta kemi zemrën në paqe. Jo të anestetizuar, jo! Në paqe! Me vetëdije, në paqe: me atë paqe, që na e jep vetëm prania e Hyjit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.