Traktat i devocionit të vërtetë për Marinë: “Pushteti i Marisë”. par. 39, 40
“Traktat i devocionit të vërtetë për Marinë”, shkruar nga Shën Luigji Maria Grignion
de Monfort, të cilin e zgjodhëm si prijës të meditimeve për majin e Zojës, shfleton
sot për ne paragrafët 39, 40, nga kapitulli “Pushteti i Marisë”. Tingëllon
si përgjigje për pyetjet, që i bën vetes çdo besimtar, kur një forcë misterioze e
shtyn të gjunjëzohet para Marisë, ta falënderojë në fitore, t’i kërkojë ndihmë në
disfata. Pse njerëzit kanë nevojë të domosdoshme për Marinë? Pse u morën aq shumë
me të dijetarët e Kishës? E jo më pak edhe heretikët? Sepse, përgjigjet autori i shenjtë
i Traktatit…”, është ajo, që na ndihmon në rreziqe të kësaj jete. Ajo, që na shtrin
dorën në të vështira. Ajo, që na jep zemër, në shekujt pa shpirt e pa zemër. Ajo,
që e mbron të drejtin e shtypur nën thundrën e hekurt të të padrejtit!
39. Përfundimi
i dytë: Virgjëra Shenjte është e nevojshme për Hyjin; ai ka për të një nevojë, që
quhet hipotetike, domethënë sepse kështu e deshi Ai vetë; por është shumë më e nevojshme
për njerëzit, për t’u kapur në cakun e tyre të mbramë. Prej këndej, nuk mund të vihet
në të njëjtin plan devocioni ndaj Virgjërës së Shenjtë e devocioni, që kemi ndaj shenjtorëve
të tjerë, sikur ajo të mos ishte më e nevojshme se ata, ose si të ishte vetëm pakëz
më shumë se ata. 40. Suarezi i kënduar e i përshpirtshëm i Shoqërisë së Jezusit,
i dituri e i devoçmi Giusto Lipsio, profesor në Luvën, e shumë e shumë të tjerë, treguan
qartë se devocioni ndaj Virgjërës Mari është më se i nevojshëm për shëlbim; sollën
prova bindëse nga Etërit e Kishës, si Shën Agostini, Shën Efremi, diakoni i Odesës,
Shën Çirili i Jeruzalemit, Shën Bernardi, Shën Bernardini, Shën Toma e Shën Bonaventura.
Kështu, sipas vetë Ekolampadios1 e disa të tjerëve, ndryshe nga heretikët.
Të mos kesh nderim e dashuri për Virgjërën e Shenjtë, është shenjë e pagabueshme mosbesimi,
ndërsa e kundërta, provë e sigurt e vërtetësisë së fesë.
1
Jo(h)annes Oecolampadius (Weinsberg, 1482 - Basilea, 24 nëntor 1531),
teolog, humanist e reformator zviceran.