Papa ipeshkvijve meksikanë: jetojeni fenë pa ndërlikime
Jetojeni fenë pa luhatje e pa ndërlikime, për të përmirësuar, kështu, një kontekst
shoqëror të tronditur nga dhuna e tepruar. E theksoi këtë Papa, në fjalimin dorëzuar
ipeshkvijve të Meksikës, pritur në audiencë, me rastin e vizitës së tyre “ad Limina”.
Shikimi i Papës
latinoamerikan mbi kontinentin, ishte si oqean mirëkuptimi. Meksika, pohoi në fillim
të fjalës, drejtuar prelatëve, është thellësisht e krishterë, e në se nuk përfillet
kjo, nuk mund të kuptohet seriozisht asnjë nga vendet e Amerikës Latine. E megjithatë,
Kisha vendase duhet të bëjë përpjekje vigane për t’u ngulur e për t’u rritur mirë
mbi rrënjët e fesë, mbjellur qëkur. E kjo, sepse mbi ta është shtrirë, duke u forcuar
gjithnjë më shumë, një kore problemesh të rënda shoqërore. I njoh mirë, nënvizoi Papa,
përpjekjet tuaja për t’i ndihmuar të varfërit, njerëzit pa plang pa shtëpi, të papunët,
ata që punojnë në kushte çnjerëzore, pa asnjë ndihmë nga ana e shërbimeve shoqërore,
emigrantët në kërkim të një jete më të mirë, bujqit, shpesh të rrënuar… E di mirë
sa përpiqeni për viktimat e trafikut të drogës e për grupet shoqërore më të ligshta,
e po aq, e njoh edhe impenjimin tuaj për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe zhvillimin
e gjithanshëm të tij. E, duke folur si vëllai me vëlla me ipeshkvijtë, Papa i porositi: “Kur
nuk mund t’i zgjidhni problemet me birin, shkoni tek Nëna, që di si zgjidhen punët…
Besoj se Maria nuk do t’ju lërë vetëm para problemeve të shumta, të dhimbshme: nuk
do të rrijë duarkryq duke parë sesi një pjesë e bijve të saj kapërcejnë kufirin, duke
ndjekur problemet e emigracionit, ato, që arrijnë nga ana tjetër…Shumë bij vdesin,
gjejnë vdekjen nga dora e vrasësve të paguar… Të gjitha, probleme serioze… E pastaj,
droga, gjë që ju bën të vuani seriozisht”. Kështu u shpreh Papa, që kaloi,
pastaj, në problemet e brendshme të Kishës meksikane. Theksoi domosdoshmërinë e thellimit
të përgatitjes së laikëve, për ta bërë më të dukshme përmasën publike të fesë e të
familjeve, parë si shkollat e para të tansmetimit të fesë. Papa i këshilloi ipeshkvijtë
ta thellojnë punën baritore me familjen, vlera më e madhe e këtyre popujve, që përballë
kulturës çnjerëzore të vdekjes, të mbështesë fort kulturën e respektit për jetën në
të gjitha fazat e saj, nga zënia, në perëndim. Pastaj kujtoi mbështetjen e përshpirtërisë
popullore e të famullive, që njerëzit ta jetojnë fenë pa ndërlikime e pa luhatje,
në gjirin e shoqërisë aktuale. Në përfundim, porosia për ta ruajtur fort transhendencën
e dyfishtë: lutjen dhe afërsinë me popullin e tyre: transhendecë e dytë, kjo.