2014-05-18 16:25:19

Traktat i devocionit të vërtetë për Marinë: “Maria në Kishën shenjte”, par. 37, 38


“Traktat i devocionit të vërtetë për Marinë”, shkruar nga Shën Luigji Maria Grignion de Monfort, të cilin e zgjodhëm si prijës të meditimeve për majin e Zojës, shfleton sot për ne, paragrafin 37 nga kapitulli “Pushteti i Marisë”. Me këtë faqe të re na larton, pranë Marisë, në atmosferën e lumnisë së qiellit, pranë serafinëve, të cilët e quajnë Mbretëreshë; pranë Shpirtit të Shenjtë, që e quan Vashë; pranë Birit të saj shëlbues, që e quan Nënë; pranë Atit të dritës, që e quan bijë!

37. Nga sa thashë, duhet nxjerrë ndonjë përfundim i dukshëm. Mbi të gjitha, Maria mori nga Hyji një pushtet të madh mbi shpirtrat e të zgjedhurve. Ajo, në të vërtetë nuk do të mund ta ngulte në ta banesën e vet, siç e urdhëroi Hyji, nuk do të mund t’i formonte, t’i ushqente, t’i nxirrte në dritën e jetës së pasosur, si nënë e tyre, t’i kishte si pjesë të trashëgimit të saj, duke i formuar në Jezu Krishtin e Jezusin në ta, të lëshonte në zemrat e tyre rrënjët e virtyteve të saj, të ishte shoqe e pandarë e Shpirtit të Shenjtë për çdo vepër hiri… Nuk do të mundte, them, t’i bënte të gjitha këto, në se nuk do të kishte të drejtë e pushtet mbi shpirtërat e tyre, përmes një hiri të veçantë të të Tejetlartit, i cili, duke i pasë dhënë pushtet mbi vetë Birin e tij të vetëm e natyror, ia dha edhe mbi bijtë në shpirt, e jo vetëm mbi korp – që do të ishte gjë e paktë – por edhe mbi shpirt.

38. Maria është Mbretëresha e qiellit dhe e tokës përmes hirit, ashtu si Jezusi është mbret përmes natyrës e fitores së Tij. Tani, me që mbretëria e Jezu Krishtit është kryekreje vepër shpirtërore, që realizohet sidomos brenda njeriut, domethënë në zemër, siç rri shkruar; “Mbretëria e Hyjit është brenda jush”, në të njëjtën mënyrë edhe mbretëria e Virgjërës së Shenjtë është, në radhë të parë, përbrenda njeriut, domethënë në shpirt; e pikërisht në shpirt Ajo, së bashku me Birin e saj, lumnohet më shumë se në të gjitha sjelljet e jashtme. Prej këndej, njëheresh me shenjtorët, mund ta quajmë Mbretëreshë e zemrave.








All the contents on this site are copyrighted ©.