Papa, në takimin me meshtarët e seminaristët: Populli i Zotit nuk i fal meshtarët-afaristë
dhe meshtarët-princë
Nga veprimtaria e Papës Françesku, javën e kaluar, po zgjedhim një pjesë nga takimi
i gjatë, 360 gradësh, me studentët e Kolegjeve Papnore dhe të Konvikteve të Romës.
Të hënën, pa tekst të përgatitur, Ati i Shenjtë foli me meshtarë e seminaristë, me
zemër në dorë, lirisht, siç bën një atë me bijtë e vet. Veçuam fjalët e tij mbi meshtarinë,
ndërsa komentonte shën Augustinin, për të denoncuar dy mëkate të barinjve të Kishës:
meshtarin-afarist e meshtarin-princ, që mendon se është më i mirë se grigja. Populli
i Zotit, tha Papa, të fal për shumë gjëra: “Por nuk të fal, nëse je bari i lidhur
pas parasë, pas kotësive, nëse nuk i trajton mirë njerëzit. Paratë, mendjemadhësia
dhe kotësia: tri shkallët, që na sjellin të gjitha mëkatet. Populli i Zotit i kupton
dobësitë tona dhe na fal; por këto të dyja nuk i fal. Meshtarit nuk ia fal rendjen
pas parasë e nuk ia fal as kur nuk trajton mirë njerëzit”. Papa Françesku u
tha seminaristëve se për të ndjekur Bariun e Mirë, Krishtin, duhet së pari, të luten.
Pastaj, është themelore aftësia për t’u takuar, për t’i dëgjuar e për t’i ndjerë njerëzit,
aftësia për ta kërkuar rrugën bashkë me ta. E nuk mungoi të verë theksin në miqësinë
ndërmjet meshtarëve, thesar për t’u kultivuar: “Po sa e bukur është miqësia
meshtarake, kur priftërinjtë, si dy vëllezër, tre-katër vëllezër, njihen, flasin për
problemet e tyre, për gëzimet, për ëndërrat… Miqësinë meshtarake. Kërkojeni, është
e rëndësishme. Besoj se ajo është ndihmë e mjaftueshme për ta jetuar meshtarinë, përshpirtërinë,
jetën apostolike, atë komunitare dhe intelektuale: miqësia meshtarake”.