2014-05-18 16:59:39

P. Kovalçik, për 20-vjetorin e Katekizmit të Kishës Katolike: Gjyqi i mbramë do të jetë për dashurinë


Kthimi i Krishtit, gjyqi i mbramë, jeta e amshuar a dënimi i amshuar! Janë themelet e fesë dhe spikasin në horizontin përfundimtar të jetës së të krishterit. E janë edhe dy pikat, rreth të cilave zhvillohet pjesa e fundme e Katekizmit të Kishës Katolike. Për ta na flet sot jezuiti, atë Dariush Kovalçik, në reflektimin e 41-të të ciklit të tij, kushtuar tekstit:

Fraza e fundit e Simbolit të fesë është: “Besoj në jetën e pasosur”. Për të krishterin, vdekja nuk është fundi i fundit i jetës njerëzore. Përkundrazi, është kalim në jetën e amshuar. Katekizmi na tregon mënyrat si kryhet ky kalim.

Pas vdekjes, çdo njeri i nënshtrohet gjykimit. “Do të gjykohemi për dashuri”, thotë Shën Gjoni i Kryqit. Në gjyqin e mbramë njeriu ose kalon përmes pastrimit, ose hyn menjëherë në lumninë qiellore, ose dënohet menjëherë e përgjithmonë e jetës (KKK, 1022).
Nuk jemi në gjendje ta përfytyrojmë qiellin, por besojmë në fjalët e Shkrimti Shenjt: “Mbretëria e Hyjit nuk ka të bëjë me ushqimin, as me pijen, ka të bëjë me drejtësinë, paqen e gëzimin në Shpirtin Shenjt (Rom 14,17). Qielli është realitet dinamik, sepse Hyji është më i madh e prandaj do të kemi gjithnjë gjëra të reja për të zbuluar.
Purgatori është e vërtetë feje, që na jep zemër, e shumë. Nëse nuk ndjehemi gati për të hyrë në qiell, mund të shpresojmë se vetë Zoti do të na pastrojë e do të na përgatisë t’i shijojmë plotësisht mrekullitë e tij. Kjo nuk do të thotë se Zoti mund të na bëjë të hyjmë në qiell, por nuk do, sepse më parë dëshiron të marrë hak për mëkatet tona. Jo! Ata që njihen si mundimet e purgatorit, na bëjnë të aftë ta shijojmë me të vërtetë qiellin. Ndërsa ferri është ndarje e amshuar nga Zoti (KKK, 1035), pa harruar se Zoti bën ç’është e mundur për ta shpëtuar çdo njeri. Dënimi, prandaj, është vetëdënim, domethënë, gjendje, në të cilën njeriu i thotë përfundimisht ‘jo’ Zotit dhe e flak tutje mëshirën e tij.







All the contents on this site are copyrighted ©.