2014-05-18 16:26:44

Në Jashi të Rumanisë, u shpall i Lum, imzot Anton Durkoviçi


Një martir i komunizmit shpallet i Lum nga Kisha Katolike. Është ipeshkvi i Jashit, në Rumani, imzot Anton Durkoviç. Dje, prefekti i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, kardinali Anxhelo Amato, kremtoi meshën e lumnimit pikërisht në Jashi. Imzot Durkoviç lindi në Austri, por i përfundoi ditët, i vrarë nga komunistët për shkak të fesë, në burgun e Sigetit në Bukuresht të Rumanisë, më 10 dhjetor 1951, pasi kishte vuajtur edhe në një lager të Moldavisë, gjatë Luftës I Botërore, vetëm e vetëm sepse ishte me origjinë nga Austria.
Gjatë persekutimit komunist kundër të krishterëve, nuk pyeti për kërcënimet e regjimit, por kumtoi Ungjillin në famullitë e dioqezës së vet, të cilat shkonte për t’i vizituar një për një. U arrestua në vitin 1949 dhe u mbyll në burgun e Sigetit, ku vdiq në moshën 63 vjeçare. Ashtu si për shumë martirë të tjerë të Kishës Katolike, regjimi rumun zhduku nga kujtesa e arkivave çdo vuajtje të ipeshkvit të burgosur. Por s’ka arkivë, që e mbyll në kasafortë shenjtërinë. Ajo, e gjallë mes njerëzve, e radhit imzot Durkoviçin, menjëherë pas meshtarit tjetër rumun, me origjinë shqiptare, Vladimir Gjika, që u shpall i Lum në gushtin e vitit të kaluar. Por ja ç’na thotë për martirizimin e imzot Anton Durkoviçit, vetë kardinali Anxhelo Amato:
Pavarësisht nga qëndrimi i tij jashtëzakonisht i matur, ipeshkvi u arrestua me akuzën se ishte armik i socializmit. Ishte 26 qershori i vitit 1949 e atë ditë duhej t’u jepte Sakramentin e Krezmimit 650 të rinjve në një famulli, në periferi të Bukureshtit. Ndërsa shkonte, në këmbë, drejt kishës, një makinë e “Securitate”-s iu afrua dhe disa agjentë e ftuan të hipte. Imzot Durkoviç u zhduk kështu, i gëlltitur përgjithmonë nga burgjet famëkëqia komuniste, ku u pyet dhe u torturua me jave të tëra, ditën dhe natën, pa pushim. Trajtimi i pamëshirshëm, mungesa e ujit dhe e ushqimit, e shndërruan në skelet.
A ka dëshmitarë të martirizimit të tij?
Sigurisht, të gjithë shokët e burgut, që kanë shpëtuar nga vdekja. Për shembull, don Rafael Fridrih, meshtar i mbyllur në burgun famëkeq të Sigetit, më i ashpri i regjimit, një ditë, gjatë turnit të fshirjes me fshesë, u afrua në qelinë e ipeshkvit dhe i pëshpëriti në latinisht: “Ego sum Friedrich” (Unë jam Fridrih, Frederiku). Një zë i dobët dhe i lodhur iu përgjigj: “Morir fame et siti, da mihi absolutionem” (Po vdes nga uria dhe etja, më jep zgjidhjen e mëkateve). Vërtet, nga fundi, ipeshkvi ishte vënë në izolim të plotë, i hedhur lakuriq në të ashtuquajturën “qeli e vdekjes”, e errët, e ftohtë, vetëvrasëse. Këtu vdiq me mundime në natën ndërmjet 10 e 11 dhjetorit 1951. “Një ditë më pas – tregon një dëshmitar – që në mëngjes herët, shoferi i burgut e mori trupin e tij të lakuriqtë dhe të pajetë dhe e hodhi në një varr të përbashkët në varrezën hebraike, pranë burgut”.
Çfarë na mëson ky ipeshkëv martir sot?
Na mëson të jemi të fortë e guximtarë në sprova. Atë e mbështetën fjalët e shën Palit apostull, edhe ai i burgosur e martir i Krishtit: “Kush do të na ndajë prej dashurisë së Krishtit? Vështirësia? Ngushtica? Salvimi? Uria? Lakuriqësia? Rreziku? Shpata? …në të gjitha këto, jemi më tepër se ngadhënjyes, në saje të Atij që na ka dashur” (Rm 8,35-37).








All the contents on this site are copyrighted ©.