2014-05-18 16:25:59

Këshilli Papnor për Dialogun Ndërfetar kremton 50-vjetorin e themelimit


Nesër, më 19 maj, Këshilli Papnor për Dialogun Ndërfetar kremton 50-vjetorin e themelimit. Në orën 16.30, pranë sallës Piu X në Romë do të mbahet një konferencë për shtyp, ku do të marrë pjesë kreu i dikasterit, kardinali Zhan-Lui Toran dhe autoritete të tjera. Të pranishmëve do t’u shpërndahet dokumenti “Dialogu në të Vërtetën dhe Bamirësinë. Orientime baritore për dialogun ndërfetar”.
Kujtojmë se dikasteri vatikanas është themeluar më 19 maj 1964 nga Papa Pali VI, me Letrën Apostolike “Progrediente Concilio”. Fillimisht u thirr “Sekretariati për Jo-të krishterët” dhe kishte për detyrë të kujdesej për ata, që nuk ishin të fesë së krishterë, por që mund t’i referoheshin Fjalës së Krishtit në Ungjill: “Kam edhe të tjera dele, që nuk janë të kësaj vathe.Edhe ato më duhet t’i bashkoj” (Gjn 10,16).
“Në 50 vjet – shkruhet në një notë të dikasterit – Këshilli Papnor për Dialogun Ndërfetar ka bërë një udhë të gjatë, duke u përpjekur ta ndihmojë Kishën për të qenë gjithnjë e më e vetëdijshme për atë përmasë të mandatit të saj, që është takimi me njerëzit e feve të tjera. Përmes ‘dialogut me botën’ të Palit VI, ‘dialogut të paqes’ të Gjon Palit II, ‘dialogut të dashurisë’ duke respektuar të vërtetën të Benediktit XVI, arritëm në sfidën aktuale të dialogut ndërfetar si ‘dialog i miqësisë’, kumtuar nga Papa Françesku”.








All the contents on this site are copyrighted ©.