2014-05-18 16:25:39

Festa e Popujve në Romë


“Pasuri për t’u pranuar”: kjo është tema e edicionit XXIII të Festës së Popujve, që u kremtua sot në Sheshin e Shën Gjonit në Lateran të Romës. Kjo festë organizohet gjithnjë nga misionarët skalabrinianë, në bashkëpunim me Karitasin dhe me Zyrën “Migrantes” të dioqezës së Romës, për t’i dhënë hapësirë e për ta bërë të dukshme kulturën dhe fenë e bashkësive katolike emigrante, që jetojnë në kryeqytetin italian. Pjesëmarrësit patën mundësi të vizitojnë kioskat kulturore, të shijojnë gjellët dhe të dëfreheshin me këngët e vallet e emigrantëve, ardhur nga çdo anë e botës, në këtë qytet gjithnjë e më tepër shumëkulturor. Në mesditë, kryetari i Këshillit Papnor për Drejtësinë e Paqen, kardinali Peter Turkson, kremtoi meshën në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran.
Emigrantët mbajtën një minut zi për viktimat e Mesdheut, për të cilat foli edhe Papa Françesku në audiencën e përgjithshme të së mërkurës. “Do t’u ishim shmangur me gjithë qejf komentit të këtyre lajmeve – deklaron atë Gaetano Saraçino, përgjegjës për organizimin e Festës së Popujve – megjithëse sollëm solemnisht në shesh shenjën e këtyre aventurave mesdhetare: një kryq realizuar në Lampeduzë me drurin e mbetjeve të detit”, pra me copa nga barkat e shkatërruara pas mbytjes së emigrantëve, që valët i nxjerrin në breg. Roma sot, por edhe qytete të tjera, ku u zhvillua Festa e Popujve, pati rastin të kujtojë e të mos harrojë, që festa të jetë vërtet e tillë, gjithnjë.








All the contents on this site are copyrighted ©.