2014-05-18 16:26:56

Atë Picabala i fton shtegtarët të vizitojnë Tokën Shenjte për t’u lutur me Papën Françesku


Në një videomesazh, të regjistruar enkas e të përgatitur në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit të Izraelit, Rojtari i Tokës Shenjtë, atë Pierbatista Picabala, i ngarkuar nga Vatikani me koordinimin e drejtimin e pritjes së shtegtarëve, i fton besimtarët të vizitojnë Viset e Krishtit së bashku me Papën Françesku. Video është përkthyer në shtatë gjuhë: italisht, anglisht, frëngjisht, portugalisht, gjermanisht, polonisht dhe spanjisht.
Në mesazh, atë Picabala nënvizon se “feja e krishterë është e fe, që u zbulua nga Zoti. Ne besojmë se Hyji duket në histori, por edhe se ka ardhur në një vend të veçantë gjeografikisht, siç është Toka Shenjte. Prandaj, ka rëndësi të shtegtohet për në Tokën Shenjte, për të takuar Jezusin, Zotin historik”. Rojtari i Viseve të Krishtit kujton se së shpejti, do të shkojë në këto troje Papa Françesku, në një shtegtim lutjeje dhe paqeje, për të takuar të krishterët e të gjitha konfesioneve e sidomos Patriarkun ekumenik të Kostandinopojës, Bartolomeu. Është e rëndësishme të bashkohemi me të në lutje, thotë në fund atë Picabala, por edhe më e rëndësishme, të marrim udhën për të jetuar bashkë me të këtë takim me Jezusin, në Tokën Shenjte.








All the contents on this site are copyrighted ©.