2014-05-17 18:47:09

Traktat i devocionit të vërtetë për Marinë: “Maria në Kishën shenjte”, par. 35, 36


“Traktat i devocionit të vërtetë për Marinë”, shkruar nga Shën Luigji Maria Grignion de Monfort, të cilin e zgjodhëm si prijës të meditimeve për majin e Zojës, shfleton sot për ne, paragrafet 35, 36, nga kapitulli “Maria në Kishën shenjte”.

35. Kur Maria zë rrënjë në një shpirt, krijon aty mrekulli hiri, ashtu si di të bëjë vetëm ajo, sepse vetëm ajo është virgjëra fekonde, ndaj nuk pati kurrë, e kurrë nuk do të ketë të tjera, që t’i ngjajnë në pastërti e fekonditet. Maria lindi, me Shpirtin Shenjt, më të madhen vepër, që është parë e do të shihet ndonjëherë: Hyjin-Njeri. Prej këndej, ajo do t’i realizojë mrekullitë më të mëdha, që do të ndodhin në fundin e kohëve. Asaj iu besua formimi dhe edukimi i shenjtorëve të mëdhenj, që do të jetojnë kah fundi i botës, sepse vetëm kjo Virgjër e pashoqe, e mrekullueshme, mund të krijojë, në bashkim me Shpirtin Shenjt, vepra të veçanta e të jashtëzakonshme.

36. Kur Shpirti Shenjt, Dhëndrri i saj, e gjen atë në një shpirt, fluturon aty e aty hyn plotësisht, i dhurohet këtij shpirti begatisht, në atë masë, në të cilën zë vend aty Nusja e tij: një nga arsyet kryesore, për të cilat Shpirti Shenjt sot nuk bën mrekulli të bujshme në shpirtrat, është se nuk gjen aty një bashkim mjaft të fortë me nusen e tij besnike e të pandarshme. Them nusen e pandashme, sepse që kur kjo dashuri substanciale e Atit dhe e Birit lidhi besë me Marinë, për të lindur Jezu Krishtin, kryet e të zgjedhurve, e për ta ripërftuar Jezusin në të zgjedhurit, Ata nuk e braktisin kurrë më, sepse ajo u mbeti përherë besnike, gjithë hir e fryt.








All the contents on this site are copyrighted ©.