2014-05-16 14:55:28

Me pishtarë në Koloseum për të krishterët e persekutuar


Mbrëmë, Koloseumi në Romë, vendi i persekutimit të martirëve të parë, u mbush sërish me njerëz, të cilët shprehën solidaritetin për martirët e sotëm të krishterë e për të persekutuarit në Afrikë, në Lindjen e Mesme e në Azi. Procesioni me qirinj e pishtarë - mijëra xixëllonja në errësirën e Amfiteatrit të Flavios, i cili i kishte fikur të gjitha dritat - u organizua nga Bashkësia katolike e Shën Egjidit dhe nga Bashkësia Hebraike e Romës. Ndërkaq, si për të dëshmuar se persekutimi i të krishterëve ka mëse dymijë vjet që vijon, dramë e re në Sudan: një grua shtatzanë, me një fëmijë 8 muajsh në gji, u dënua me varje për apostazi, vetëm e vetëm sepse ishte martuar me një të krishterë dhe ishte kthyer në fenë e të shoqit, duke dhunuar kështu ligjin islamik. Mariam Yehya Ibrahim, 27 vjeç, mund ta shmangte dënimin nëse rikthehej në Islam, por nuk deshi. Studentët sudanezë dhe shoqata të ndryshme e kanë ngritur zërin e po manifestojnë kundër vendimit të gjykatës. Por mohimi i lirisë fetare është problem në shumë vende të botës, siç thotë kryetari i Bashkësisë së Shën Egjidit, Marko Impaljaco: RealAudioMP3
“Fatkeqësisht, vendet, në të cilat nuk njihet kjo lloj lirie fetare e as e drejta për t’u kthyer në një fe tjetër, janë të shumta. Natyrisht, ne u drejtohemi vëllezërve tanë myslimanë e u kërkojmë njerëzve më të shndritur, shumicës, të punojnë me ne, që t’u garantohet të gjithëve kjo e drejtë themelore, për të cilën Kisha e ka ngritur zërin gjithmonë”.
Shtohen detyrimet me dhunë, si kthimi në Islam, që iu imponua vajzave nigeriane të rrëmbyera gjatë ditëve të kaluara. Për to e për të krishterët e shumtë të persekutuar, hebrenj, katolikë e myslimanë u bashkuan mbrëmë në një procesion me qirinj, për t’iu lutur, secili të vetmit Zot, që kjo gjendje të ndryshojë:
“Synimi i parë është t’u arrijë të krishterëve në vështirësi zëri i shoqërisë civile, zëri i besimtarëve, që të mos ndihen të braktisur. Qëkur Papa Gjon Pali II nisi atë, që tani quhet ‘fryma e Asizit’, fetë e ndjejnë se janë të thirrura të nxjerrin në dritë atë mesazh paqeje, i cili është zemra, thelbi i çdo besimi në Zotin. Ne do të donim të krijonim bashkim ndërmjet feve, kundër atij terrorizmi, i cili fshihet pas fjalëve të fesë. Gjithashtu, do të donim që, më në fund, edhe opinioni publik ta dallojë mirë dhunën nga feja”.
Në Thirrjen Apostolike “Evangelii Gaudium”, Papa Françesku na kujton se ekziston një mendësi, e cila dëshiron ta mbyllë fenë vetëm në sferën private. Sapo ndokush e dëshmon fenë e vet fillojnë problemet, diskriminimet, persekutimet. Kjo është një nga temat më të rëndësishme të kësaj papnie, nënvizon Marko Impaljaco:
“Ngjarja më domethënëse, ndër të shumtat, që mund të përmend, është se Papa do të shkojë në Tokën Shenjte pas pak ditësh, i shoqëruar nga një imam dhe nga një rabin. Prandaj, fakti që Papa vendosi të shtegtojë në tokën e të tria feve, i shoqëruar prej tyre, më duket shenja më e madhe, më e dukshme e vullnetit për dialog e bashkëpunim për paqen në botë”.
Dëshmitarët, që ndoqën njëri-tjetrin, duke folur para besimtarëve mbrëmë, sollën para syve të të pranishmëve skena nga lufta në Siri, nga puna e grave të krishtera eritrease, që ndihmojnë refugjatët myslimanë në shkretëtirën e Sinait, sollën shqetësimin e motrave të jezuitit atë Paolo Dal’Olio, rrëmbyer në Siri para një viti. Janë shumë, tepër, të krishterët që kanë nevojë për lutjen e solidaritetin e të gjithëve, në mënyrë që t’u lehtësohen dhimbjet. Për këtë shërbeu procesioni i djeshëm në Koloseum, me të cilin të krishterë, hebrenj e myslimanë i ftuan besimtarët t’i çojnë sytë kah Zoti i Gjithpushtetshëm për vëllezërit e tyre në fe, por edhe të përveshin mëngët e të bëjnë ç’kanë në dorë, për ta përmirësuar gjendjen.








All the contents on this site are copyrighted ©.