2014-05-16 15:30:05

Dhuna kundër të krishterëve: 241 raste në Evropë, në vitin 2013


133, rastet e vandalizmit kundër vendeve të kultit të krishtera, në 11 shtete evropiane. Duket e pabesueshme që edhe në Evropën “e krishterë” të ketë veprime të tilla, por llogaria është bërë nga Observatori i intolerancës dhe i diskriminimit kundër të krishterëve në Evropë, në Raportin e tij 2013, që i referohet vitit të kaluar. Në tërësi, janë 241, rastet e intolerancës kundër të krishterëve, në fushën e së drejtës, në politikë, në art e në mass media. Gjatë viteve të fundit, Observatori ka numëruar një sasi të jashtëzakonshme rastesh vandalizmi kundër të krishterëve, por nuk ekziston mundësia e krahasimit me raportet e qeverive evropiane, për shkak se ato nuk bëjnë klasifikime sipas fesë.
Në Raportin 2013 të sapopublikuar, të dhënat, megjithëse të kufizuara, tregojnë se incidentet e lidhura me urrejtjen kundër të krishterëve në Evropë, janë në rritje. Intoleranca kundër tyre në fushën ligjore dhe në politikë, vihet në dukje në analizën e Observatorit, ka të bëjë me kufizimet në lirinë e ndërgjegjes, të fjalës, në politikat diskriminuese, në kufizimin e së drejtës së prindërve në lëndën e edukimit seksual të fëmijëve, madje edhe në lirinë e mbledhjes.
Raporti citon 41 ligje të 14 shteteve evropiane, që i pengojnë të krishterët të dëshmojnë lirisht fenë e tyre. Shprehjet artistike dhe mass media, përfshirë internetin, po kthehen në një terren të ri intolerance kundër të krishterëve. Janë regjistruar 15 raste në 6 vende të Evropës, në të cilat mungon respekti për fenë e Krishtit e për ata, që e ndjekin. Gudrun Kugler, drejtoreshë e Observatorit shpjegon: “Shoqëria, përherë e më e shekullarizuar e Evropës, ka gjithnjë e më pak hapësirë për krishterimin. Disa qeveri e disa protagonistë të shoqërisë civile përpiqen të përjashtojnë, në vend që të pranojnë. Na sinjalizohen shumë raste intolerance kundër të krishterëve. Përmes kërkimit, dokumentimit dhe publikimit të këtyre rasteve, shpresojmë t’i bëjmë njerëzit të vetëdijshëm për problemin. Ky është hapi i parë drejt gjetjes së zgjidhjes”.








All the contents on this site are copyrighted ©.