Tregtia e armëve dhe emigracionet e detyruara vënë në rrezik paqen: kështu Papa për
një grup ambasadorësh
Papa priti sot në Vatikan ambasadorët e Zvicrës, të Liberisë, të Etiopisë, të Sudanit,
të Xhamajkës, të Afrikës së Jugut dhe të Indisë, me rastin e paraqitjes së Letrave
Kredenciale. Duke folur për paqen, udhë dhe synim i të gjitha veprimtarive njerëzore,
përfshirë marrëdhëniet diplomatike, Ati i Shenjtë u ndal në dy aspekte: në tregtinë
e armëve dhe në emigracionet e detyruara. Të gjithë flasin për paqen, theksoi, të
gjithë deklarojnë se e duan, por, fatkeqësisht, përhapja e armatimeve të çdo lloji
çon në kahen e kundërt: “Tregtia e
armëve ndikon në ndërlikimin dhe në largimin e zgjidhjes së konflikteve, edhe sepse
ajo zhvillohet dhe kryhet kryesisht në mënyrë të paligjshme. Prandaj, ndërsa jemi
të mbledhur në këtë Seli Apostolike, që për natyrën e saj i shërben veçanërisht çështjes
së paqes, mund t’i bashkojmë zërat për të uruar që bashkësia ndërkombëtare të fillojë
një sezon të ri impenjimi të përqendruar e të guximshëm kundër shtimit të armatimeve”. Më
pas, Papa vuri në dukje sfidën e emigracionit të detyruar. Fenomen tepër i ndërlikuar,
nënvizoi, duke kërkuar impenjimin e të gjithëve, që emigracioni të mos shihet gjithnjë
vetëm në këndvështrimin e emergjencës. Ndërmjet emigrantëve hasim në përvoja diametralisht
të kundërta, tha Papa: “Nga njëra anë, histori të mrekullueshme humaniteti,
takimi, mikpritejeje; njerëz e familje, që arrijnë të dalin nga realitete çnjerëzore
dhe gjejnë dinjitetin, lirinë, sigurinë. Nga ana tjetër, fatkeqësisht, histori që
na bëjnë të vajtojmë e të turpërohemi: qënie njerëzore, vëllezërit e motrat tona,
bijtë e Zotit, që, të shtyrë nga dëshira për të jetuar e punuar në paqe, përballojnë
udhëtime masakruese e pësojnë kërcënime, tortura, shpërdorime të çdo lloji, për të
përfunduar me vdekje në shkretëtirë, ose në fund të detit”. Fenomeni i emigracionit
të detyruar, vazhdoi Papa Françesku para shtatë ambasadorëve të rinj, është i lidhur
ngushtë me konfliktet e me luftrat, e për rrjedhojë, edhe me problemin e përhapjes
së armëve. Janë plagë të kësaj bote, që është e jona, ngriti zërin Ati i Shenjtë.
Botë, të cilën Zoti na e ka dhënë për të jetuar me dinjitet, prandaj nuk mund të mos
e ndjejmë veten përgjegjës për vëllezërit e motrat tona emigrante: “Do të ishte
një kontradiktë absurde të flasim për paqen, të bëjmë bisedime për paqen e, në të
njëjtën kohë, të nxisim ose të lejojmë tregtinë e armëve. …Do të ishte sjellje cinike,
…shpallja e të drejtave të njeriut e, njëkohësisht, injorimi dhe moskujdesja për burra
e gra, që, të detyruar të largohen nga toka e tyre, vdesin në këtë përpjekje, ose
nuk priten me solidaritet ndërkombëtar”.