2014-05-15 12:00:58

Papa Françesku: nuk ekziston i krishterë pa Kishë


Nuk ekziston asnjë i krishterë pa Kishën. Asnjë i krishterë nuk mund të ecë vetëm, sepse edhe vetë Jezu Krishti eci në udhë me popullin e tij. Ky ishte thelbi i homelisë së Papës Françesku, në meshën e mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës.RealAudioMP3
Duke u nisur nga Leximi i parë i liturgjisë së sotme, Ati i Shenjtë shpjegoi se edhe apostujt, kur u kumtojnë njerëzve Jezusin, nuk fillojnë nga Ai, por nga historia e popullit. Vërtet, Jezusi nuk kuptohet pa këtë histori, të cilën Ai e përmbush. Njësoj, nuk mund të kuptohet i krishteri jashtë popullit të Zotit, të cilit i përket, jashtë Kishës:
“Nuk mund të kuptohet i krishteri vetëm, ashtu siç nuk mund të kuptohet Jezu Krishti i vetëm. Jezu Krishti nuk ra nga qielli si ndonjë hero, që vjen të na shpëtojë. Jo. Jezu Krishti ka një histori. Prandaj mund të themi – e kjo është e vërtetë – se Zoti ka një histori, pasi deshi të ecë së bashku me ne. E nuk mund të kuptohet Jezu Krishti pa këtë histori. Kështu edhe një i krishterë pa histori, një i krishterë pa popull, një i krishterë pa Kishë, nuk mund të kuptohet. Është diçka laboratori, gjë artificiale, send, që nuk mund të japë jetë”.
Populli i Zotit, shtoi më tej Papa Françesku, ecën, duke pasur parasysh premtimin e Hyjit. Kjo është përmasë e rëndësishme, përmasa e kujtesës:
“I krishteri e kujton historinë e popullit të vet, e mban mend udhën e bërë nga populli, nga Kisha e tij. Kujtesa… memoria e gjithë së kaluarës… Pastaj, ku shkon ky popull? Drejt premtimit përfundimtar. Është një popull, që ecën drejt plotësisë; popull i zgjedhur, që e kujton premtimin për të ardhmen dhe ecën drejt këtij premtimi, drejt përmbushjes së tij. Për këtë, i krishteri në Kishë është burrë e grua me shpresë: shpresë në premtimin [e Hyjit]. Që nuk është pritshmëri: jo, jo! Është diçka tjetër: është shpresë. Përpara! Shpresë, që nuk zhgënjen”.
Kur sheh pas, i krishteri kujton e i lutet gjithnjë Zotit për hirin e kujtesës. Kur sheh përpara, i krishteri është njeri i shpresës. Në të tashmen, përdori Papa të gjitha kohët e jetës, i krishteri ndjek udhën e Zotit e përtërin Besëlidhjen me Hyjin. Vazhdimisht i thotë Zotit: “Po, i dua urdhërimet, e dua vullnetin Tënd, dua të vij pas Teje”. Ndërsa besëlidhjen me Hyjin e kremtojmë çdo ditë në meshë, prandaj i krishteri është njeri i Eukaristisë. Në fund, lutja e Papës:
“Të mendojmë – e do të na bëjë mirë ta mendojmë këtë sot – si është identiteti ynë i krishterë. Identiteti ynë i krishterë është përkatësia në një popull: Kisha. Pa këtë, ne nuk jemi të krishterë. Kemi hyrë në Kishë me anë të Pagëzimit: aty jemi të krishterë. Prandaj, duhet të na bëhet zakon të lutemi për hirin e kujtesës, është kujtesa e udhës së kryer nga Populli i Zotit. Të lutemi edhe për kujtesën personale: çfarë ka bërë Zoti me mua, me jetën time, si më ka drejtuar në udhë… Të lutemi për hirin e shpresës, që nuk është thjesht optimizëm: jo, jo! Është diçka tjetër. E të lutemi që ta përtërijmë çdo ditë Besëlidhjen me Zotin, i cili na ka thirrur. Zoti na dhashtë këto tri hire, që janë të nevojshme për identitetin tonë të krishterë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.