2014-05-15 16:00:50

Imzot Tomazi: jo përdorimit të dronëve dhe të robotëve në luftë


Në luftë, nuk mund t’ia veshim një roboti përgjegjësinë e njeriut. Kështu foli kryeipeshkvi Silvano Maria Tomazi në mbledhjen e OKB-së në Gjenevë për përdorimin e armëve vdekjeprurëse autonome. Vëzhguesi i Vatikanit në Kombet e Bashkuara denoncoi veçanërisht përdorimin e dronëve. E ftuam imzot Tomazin para mikrofonit për të na shpjeguar pikat kryesore të diskutimit të tij:RealAudioMP3
Parimi themelor, thelbi i kësaj situate është se nuk mund t’i delegojmë makinat të marrin një vendim, që ka të bëjë me jetën a vdekjen e njeriut. Është e nevojshme që elementi racional dhe aftësia e gjykimit moral të jenë gjithnjë të pranishme, kur është fjala për jetën njerëzore. Për natyrën e tyre, këto mjete, këto armë teknologjikisht të sofistikuara, por tërësisht autonome, nuk i kanë këto aftësi. Edhe sikur të mendojmë se mund të zhvillohet ndonjë lloj inteligjence artificiale, nuk do të arrihej kurrë mundësia dhe aftësia për ta shqyrtuar gjendjen e për të formuar më pas një gjykim të vërtetë etik.
Gjatë viteve të fundit, sidomos SHBA-të kanë përdorur shpesh dronet. Selia e Shenjtë ka qenë gjithnjë kundër. Edhe ju e keni ngritur zërin…
Selia e Shenjtë ecën në një udhë koherente. Çështja e dronëve është paralele me atë të armëve tërësisht autonome. Thelbi mbetet gjithnjë gjykimi moral, të cilin mund ta ketë vetëm njeriu… Pastaj, ka edhe probleme të tjera. Për shembull, përhapja e këtij lloj armatimi mund të shkaktojë një garë të re ndërkombëtare për t’u pajisur me armë të sofistikuara si këta robotë “killer” e sidomos, mund të sjellë lindjen e një konkurrence, që nuk shërben për marrëdhëniet ndërmjet vendeve, por thjesht, shpërdoron pasuritë, që duhet të përdoren për asistencë shoqërore, shëndetësore, për edukim, për luftë kundër varfërisë e jo për armë.







All the contents on this site are copyrighted ©.