2014-05-14 14:23:57

Traktat i devocionit të vërtetë për Marinë: “Maria në Kishën shenjte”, par. 30, 31


I tronditur rëndë nga rreziqet e kësaj jete, që shpesh ka më shumë lot se gëzime, njeriu kërkon etshëm një strehë, nën të cilën mund të struket në ditë rrebeshesh. Kërkon gëzim, mes lotësh; breg, mes dallgësh; dritë, mes errësire. Kërkon dorën e nënës në rrëzime, si në ditët e miturisë. Çdo njeri, deshi s’deshi, e ndjen në shpirt se veç nënës e atit, që e nxorën në dritën e kësaj bote, ka edhe një Atë e një Nënë qiellore, gati për t’ia shtrirë dorën në ditë të kthjellta e të zymta. Këtë na kujton sot “Traktati i devocionit të vërtetë për Marinë”, shkruar nga Shën Luigji Maria Grignion de Monfort, në paragrafet 30, 31 të kapitullit “Maria në Kishën shenjte”.RealAudioMP3

30. Ashtu si në krijimin natyror e në atë njerëzor është një baba e një nënë, edhe në krijimin e mbinatyrshëm e shpirtëror është një baba, Hyji e një nënë, Maria. Të gjithë bijtë e vërtetë të Hyjit e besimtarët e vërtetë kanë atë Hyjin e mëmë, Marinë. Kush nuk e ka mëmë Marinë, nuk e ka as Hyjin atë. Prandaj ata, që nuk besojnë, heretikët, skizmatikët, etj etj., që e mënijnë, e përbuzin ose nuk e përfillin fare Virgjërën e Shenjtë, nuk mund ta kenë Hyjin atë, ndonëse pretendojnë, sepse nuk e kanë nënë Marinë: po ta kishin Nënë, do ta donin e do ta nderonin, ashtu si biri i denjë, natyrisht, e do dhe e nderon nënën e vet, që i dhuroi jetën. Shenja më e sigurt e më e pagabueshme për ta dalluar heretikun ose njeriun e doktrinës së keqe, ose akoma, atë që nuk beson, nga besimtari i vërtetë, është përçmimi a indiferenca që heretiku e ai, që nuk beson, kanë për Virgjërën e Shenjtë. Këta njerëz përpiqen, me fjalë e me shembull, t’ia zbehin kultin e dashurinë, haptas a fshehtas, nganjëherë edhe duke u maskuar pas preteksteve, në dukje të mira. Mjerisht Hyji Atë nuk i tha Marisë ta ngulte banesën e saj ndërmjet tyre, sepse janë si Ezau.

31. Hyji Bir dëshiron të përftohet e, në se mund të themi, të mishërohet çdo ditë në gjymtyrët e veta, përmes Nënës së Tij të dashur. Prej këndej, edhe i thotë: “Merre si trashëgim Izraelin!”. Si të donte t’i thoshte: Hyji, Ati im, m’i la trashëgim mbarë kombet e tokës, njerëzit e mirë e të këqinj, besimtarë e jo besimtarë: unë u prij, të parëve me skeptër ari, të dytëve, me fshikull hekuri; do të jem atë e mbrojtës për të parët, fshikullues i drejtë, për të dytët e për të gjithë, gjykatës. Po ti, Nëna ime e dashur, do t’i trashëgosh e do t’i zotërosh vetëm ndjekësit besnikë, që simbolizohen në Izraelin e, si nëna e tyre e mirë, do t’i nxjerrësh në dritë, do t’i mëkosh e do t’i bësh të rriten; si mbretëresha e tyre, do t’u prish, do t’i drejtosh, do t’i mbrosh.








All the contents on this site are copyrighted ©.