2014-05-14 16:15:35

Papa në audiencën e përgjithshme: shenjtorët e panjohur na mësojnë ç’është dhurata e qëndresës


Janë shenjtorë “të fshehur” në Kishë, ata që na mësojnë ç’është dhurata e qëndresës. Ishte ky mendimi kryesor i katekizmit, shtjelluar nga Papa Françesku në audiencën e përgjithshme, mbajtur, si zakonisht, në Sheshin e Shën Pjetrit, përballë më se 60 mijë shtegtarësh e besimtarësh. Ta luftojmë përtacinë e të mos na lëshojë kurrë zemra, porositi Papa, duke i kërkuar Zotit forcën, që buron nga feja.RealAudioMP3

Shenjtorë pa kem, pa elter, pa kamare për trupore, që të lutemi a të ndezim një qiri para shëmbëllimit të tyre. Shenjtorë me mish e eshtra, që ndoshta banojnë fare pranë nesh, pas portës pranë, e megjithatë, nuk i njohim, sepse të fshehur pas velit të së përditshmes. Ose kemi fatin t’i njohim e të shijojmë fenë e tyre të patundur, edhe pse pa aureolë. Këta njerëz, i siguroi Papa besimtarët, kanë të përbashkët me shenjtorët e kanonizuar, një dhuratë që vjen nga lart: qëndresën. Françesku e shpjegoi këtë dhuratë të posaçme të Shpirtit Shenjt, duke marrë si shembull një përmasë të dashur për Kishën, shenjtërinë e fshehur, të panjohur, atë, vijoi, që shndrit sidomos në çaste të vështira e në situata të rrezikshme, kur burra e gra detyrohen të përballojnë tensione tronditëse e të dhimbshme, që e trazojnë keqas jetën e tyre e të të dashurve të tyre:
Sa e sa burra e gra, që ne nuk ua dimë emrat, e nderojnë popullin tonë, e nderojnë Kishën, sepse janë të fortë: njerëz që e çojnë përpara jetën e tyre, familjen e tyre, punën, fenë, në heshtje, pa bujë, me qëndresë të pashoqe! Po, këta vëllezër e motra janë shenjtorë, shenjtorë të së përditshmes, shenjtorë të panjohur, të fshehur mes nesh: kanë pikërisht dhantinë e qëndresës në kryerjen e detyrave si njerëz, si etër, si nëna, si vëllezër, si motra, si qytetarë. Shumë, kemi shumë”.
E në këta shenjtorë pa emër, dhurata shpirtërore e qëndresës sjell fryte të prekshme. Papa Françesku i shpjegoi me Shëmbëlltyrën e Bujkut, që hedh farën e Fjalës në truall, domethënë, në zemra, herë të mira, herë të shterpëta, herë të brishta:
Me dhuratën e qëndresës Shpirti Shenjt e pastron truallin e zemrës sonë, e liron nga plogështia, nga pasiguria e nga të gjitha druajtjet, që mund ta frenojnë, në mënyrë që Fjala e Zotit të vihet në jetë me vërtetësi e gëzim. Është ndihmë e madhe, kjo dhuratë e qëndresës, që të jep forcë e të liron edhe nga shumë pengesa”.
Por nuk duhet menduar se qëndresa është dhuratë vetëm për çaste të vështira. Papa Françesku u shpreh shumë qartë për këtë: çdo ditë të jetës sonë, theksoi, duhet të jemi të fortë, sepse çdo ditë ka trazirën e vet, barrën e vet të rëndë, frikën e vet. Të jeni të fortë e të qëndrueshëm çdo ditë, por me kusht që ‘fara’ e qëndresës të bjerë në zemra të përvuajtura, domethënë, në tokë pjellore:
Shën Pali Apostull ka thënë ca fjalë, që na bëjnë mirë t’i dëgjojmë: ‘Gjithçka mundem, në Atë, që më jep forcë!’. Prandaj kur vjen jeta e zakonshme, kur trazira e telashe na trokasin te porta, ta kujtojmë këtë: ‘Gjithçka mundem, në Atë, që më jep forcë’. Zoti jep forcë, gjithnjë, e nuk mungon kurrë, kur kemi nevojë. Ai është përherë pranë nesh. Prandaj: ‘Gjithçka mundemi në Atë, që na jep forcë!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.