2014-05-14 12:34:35

Imzot Palja në Filadelfia, në prag të Ditës Botërore të Familjes


Edhe një vit e Kisha Katolike do të mbledhë familjet në takimin e tyre botëror, që do të zhvillohet në shtator 2015, në Filadelfia të SHBA-ve. Për kryeipeshkvin Vinçenco Palja, kryetar i Këshillit Papnor për Familjen, dje e sot ishin ditë vizitash në këtë qytet, për të përgatitur ngjarjen e madhe. Nesër, prelati do të shkojë në Nju Jork për të folur para Kombeve të Bashkuara, në 20 vjetorin e Ditës së Familjes, organizuar nga OKB-ja. Por për vizitën e tij në Filadelfia, në perspektivën e takimit të ardhshëm të familjeve, në vitin 2015, të dëgjojmë vetë imzot Paljen, në mikrofonin tonë: RealAudioMP3

Së pari, na u desh ta vendosnim këtë ngjarje në kuadrin e Sinodit për Familjen. Prandaj, përcaktuam disa tema e sidomos disa çaste, në të cilat, vetë familjet të reflektojnë mbi sfida të rëndësishme të epokës bashkohore. Mendoj se Sinodi, madje këta dy Sinode për familjen, duhet të sjellin një lloj pranvere të re për familjet e krishtera. E kjo, natyrisht, përfshin të gjitha famullitë, sidomos të gjitha ato Lëvizje dhe Shoqata familjare, që duhet ta kuptojnë urgjencën e dëshmimit të bukurisë së familjes, në një botë, ku kultura, ose kulturat, janë kundër saj. Duhet të shkruajmë letrën e gëzimit të familjeve e, jo mbi kartë, por me jetë, kudo ku është e pranishme bashkësia e krishterë.
Ju jeni kryetar i Këshillit Papnor për Familjen. Cilat janë objektivat e Takimit të tetë Botëror të Familjeve?
Ka një problem të parë: duhet t’u japim njerëzve të kuptojnë se të krijosh familje është një përmasë jetësore për Kishën dhe për vetë shoqërinë. Ekziston një individualizëm kaq i fuqishëm, i cili, jo vetëm i pështjellon familjet që janë krijuar tashmë, por e vonon, ose edhe e zhduk përgjithmonë, dëshirën për të krijuar familje, pra, për t’u martuar, për të lindur fëmijë, duke ushqyer atë burim të jashtëzakonshëm jete, që bën histori përmes institucionit të familjes. E përsa u përket besimtarëve, fakti që Jezusi deshi t’u dhurojë një hir të veçantë bashkëshortëve, tregon jo vetëm për kujdesin e Zotit, por edhe për ndihmën, që Ai dëshiron t’i japë familjes së krishterë. Pastaj, ka një sërë problemesh të tjera, që lidhen me edukimin: sot, ekziston një lloj “humnere” ndërmjet brezave. Brezat e rinj e kanë të vështirë të jetojnë me idealet e solidaritetit, të miqësisë, të dashurisë, të dhurimit të vetvetes, të prindërve e gjyshërve të tyre. Këto vlera duhet të rijetojnë. Pastaj kemi problemin e të moshuarve: ç’duhet të bëjmë me 30 vjetët pas pensionit, që sot parashikohen nga kultura, nga jeta, nga mjekësia, nga shkenca? Si duhet t’i impenjojmë të moshuarit? E më tej, kemi problemin e marrëdhënieve ndërmjet familjes dhe punës. Apo atë të përmasës shpirtërore të familjes. Jo vetëm si duhet transmetuar feja, por sidomos, si duhet jetuar. Jemi dëshmitarë të pakësimit të lutjes në familje, që nuk e lexon më Ungjillin së bashku. Këto janë sfida, të cilave duhet t’u japim përgjigje.
Ju nënvizuat vështirësitë në krijimin e familjes e, sidomos, mungesën e vullnetit e të përgjegjësisë për këtë…
Martesa nuk kuptohet më si impenjim për të ndërtuar të ardhmen së bashku. Ekziston një lloj kulture kundër familjes ose në favor të jetesës pa familje, që është tepër e rrezikshme për vetë shoqërinë. Kur formohet familja, kemi celulën e parë të qytetit dhe shkollën e parë për të krijuar një popull, një komb, një kulturë. Sa më vonë të ndodhë kjo, aq më i dobët bëhet qyteti.








All the contents on this site are copyrighted ©.