2014-05-13 16:09:10

Vizita e Papës në Molize. Imzot Bregantini: do të jetë dialog për gjithë zonën


Për herë të tretë në 30 vjet, rajoni i Molizes, në Itali, do të presë një papë. Papa Françesku do të shkojë për vizitë në qytetet e Kampobasos e të Izernies, më 5 korrik. Një gëzim i jashtëzakonshëm, komenton kryeipeshkvi i Kampobaso-Bojanos, imzot Xhankarlo Bregantini, i cili sot paraqiti në një konferencë për shtyp, detajet e shtegtimit të Atit të Shenjtë. Ta dëgjojmë, në mikrofonin tonë:RealAudioMP3
Do të bëjë shtatë etapa: e pabesueshme. Në orën 9, pas mbërritjes, bota prodhuese, në selinë e universitetit: do të flasin bujqit, që kanë marrë diplomën universitare dhe janë kthyer në fushat e prodhimit bujqësor. Është një imazh i ri, një bujqësi e re, që shprehet këtu në Molize. Së dyti, ndalesa në katedrale, me lutjen në varrin e një ipeshkvi të vdekur nën bombat e vitit 1943. Vdekja e tij e shpëtoi qytetin. Së treti, kremtimi eukaristik, në orën 11, në stadium, ku parashikohen rreth 30 mijë njerëz. Pra, Papën e pret gjithë qyteti. Pastaj, në Shtëpinë e Engjëjve, për drekë me të varfërit.
E më tej, pasdite, në shenjtëroren rajonale të Kastel Petrozos, ku Ati i Shenjtë do të takohet me të rinjtë. Pastaj, në Izernia, fillimisht në burg e më vonë në katedrale, ku do të përqafojë gjithë qytetin…
Të gjitha etapat kanë kuptim të caktuar. Në fund të fundit, përfaqësojnë një dialog me qytetin dhe me gjithë botën e Molizes, e vogël, por shumë fetare. Besoj se Papa është bindur të vijë, sepse është një realitet periferik, në stilin e tij, që është ai i Ungjillit.
Një nga frazat, që do të shoqërojnë këtë udhëtim është “Zoti nuk lodhet së faluri”. Pse e keni zgjedhur?
Menduam se falja është thelbi i mesazhit të Papës. Ka dy pasoja: njëra, pozitive, është logjika e takimit që ne e kërkojmë në lutjen e përditshme dhe, tjetra, negative në realitet, por pozitive si efekt, është të fitojmë mbi logjikën e kulturës së hedhurinave. Duam t’i lutemi Zotit të takohemi me njëri-tjetrin, në mënyrë që askush të mos konsiderohet hedhurinë.
Në vitin 1983 e në vitin 1995, në Molize pati ardhur Gjon Pali II. Çfarë presin njerëzit nga vizita e Papës Françesku, e treta e një pape?
Kjo tokë ka nevojë për këtë rizgjim, për këtë entuziazëm, që të mos bjerë në kurthin e plogështisë, pra të mos kënqet me pak. Papa vjen të na shkundë pak, me stilin e tij jo formal, me kërkesën që Kisha të dalë e të mos mbyllet në vetvete, që të privilegjojë misionin mbi çdo gjë tjetër, sepse vetëm kështu mund të bëhet burimi, ku të gjithë ne mund të shërojmë plagët e ta hedhim vështrimin përtej së tashmes. Për këtë i lutemi Zotit.








All the contents on this site are copyrighted ©.