2014-05-13 13:58:39

Papa: kush mendon se di gjithçka, nuk mund ta kuptojë Zotin


Gjërat e Zotit nuk mund të kuptohen vetëm duke përdorur trurin, duhet t’ia hapim zemrën Shpirtit Shenjt: kështu pohoi Papa Françesku në meshën e mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës. Ati i Shenjtë theksoi se feja është dhuratë e Zotit, por nuk mund të merret nëse jetojmë “të ndarë” nga Populli i Tij, nga Kisha.RealAudioMP3
Leximet e ditës, vuri në dukje Papa, na tregojnë për dy grupe njerëzish. Në Leximin e parë, mësojmë për ata, të cilët shpërndahen për shkak të persekutimit, që shpërtheu pas vrasjes së Shën Shtjefnit, martirit të parë të krishterimit. Pavarësisht se detyrohen të ikin nga sytë këmbët, përhapin farën e Ungjillit kudo shkojnë. Fillimisht, u flasin vetëm judejve. Pastaj, dalëngadalë, u hapin dyert edhe grekëve e paganëve. Sapo mbërrin lajmi në Jeruzalem, Barnaba dërgohet në Antioki për inspektim, por të gjithë mbetën të kënaqur, sepse një numër i madh njerëzish u kthye në rrugën e Zotit e u bë pjesë e bashkësisë së krishterë.
Të krishterët e parë, vërejti Ati i Shenjtë, nuk patën bërë ndonjë plan të tipit: të shkojmë më parë tek judenjtë, pastaj tek grekët, pastaj tek paganët. Thjesht, lejuan që Shpirti i Shenjtë t’i udhëhiqte e iu bindën. Shpesh, nënvizoi Papa, Shpirti i Shenjtë na nxit të bëjmë gjëra krejtësisht të ndryshme nga e zakonshmja: të krishterët e parë i nxiti t’ua hapin dyert paganëve, që konsideroheshin të padenjë; Filipin, të pagëzonte ministrin etiopas; Pjetrin, të pagëzonte Kornelin:
“Herë të tjera, Shpirti i Shenjtë na mbart butësisht e është virtyt ta lësh veten në duart e Shpirtit të Shenjtë, të mos i kundërshtosh, të bindesh. Shpirti i Shenjtë vepron edhe sot në Kishë, vepron pikërisht sot në jetën tonë. Ndokush prej jush mund të më thotë: ‘Asnjëherë s’e kam parë!’. “Por, kujdes në gjërat që ndodhin, çfarë të vjen ndërmend, çfarë ndjen në zemër. Gjëra të mira? Është Shpirti që të fton të ecësh në atë udhë. Duhet bindje! Bindje para Shpirtit të Shenjtë”.
Grupi i dytë, që na paraqesin Leximet e sotme, është ai i intelektualëve, që i afrohen Jezusit në Tempull. Janë dijetarët e ligjit. Jezusi, kujtoi Papa, ka pasur gjithnjë probleme me ta, sepse nuk kuptonin kurrë, bënin njëmijë pyetje, mendonin se feja mund të analizohej me tru, kishin kujdes vetëm të respektonin ligjet. Këta njerëz nuk e ndjejnë zemrën, nuk janë në gjendje të shijojnë dashurinë, bukurinë, harmoninë, dëshirojnë vetëm shpjegime, nënvizoi Ati i Shenjtë:
“Ti i jep shpjegimet e ata, pa u bindur, kthehen me një pyetje tjetër. E kështu: sillen e sillen… Ashtu si u sollën rreth Jezusit gjithë jetën, deri në çastin, që arritën ta kapnin e ta vrisnin! Këta nuk ia hapin zemrën Shpirtit të Shenjtë! Besojnë se edhe gjërat e Zotit mund të kuptohen vetëm me tru, me ide, me idetë e tyre. Janë mendjemëdhenj. Besojnë se dinë gjithçka. E ajo që nuk u pështatet inteligjencës së tyre, nuk është e vërtetë. Mund të ringjallësh një të vdekur para tyre, por nuk besojnë!”
Jezusi u thotë fjalë të ashpra: “Ju nuk besoni, sepse nuk bëni pjesë në grigjën time! Ju nuk besoni, sepse nuk jeni të popullit të Izraelit. Keni dalë nga populli. Jeni aristokracia e intelektit”:
“Këta njerëz ishin shkëputur nga Populli i Zotit, prandaj nuk besonin dot. Feja është dhuratë e Zotit! Por feja vjen nëse je në Popullin e Hyjit. Nëse je tani, pjesë e Kishës, nëse ndihmohesh nga Sakramentet, nga vëllezërit, nga asambleja. Nëse beson se kjo Kishë është Popull i Zotit. Këta njerëz ishin shkëputur, nuk besonin në Popullin e Zotit, besonin vetëm në gjërat e tyre e kështu, kishin ngritur një sistem të tërë urdhërimesh, që i largonin të tjerët: i largonin njerëzit e nuk i linin të hyjnë në Kishë, në Popullin e Zotit. Nuk mund të besonin! Ky është mëkati i kundërshtimit të Shpirtit të Shenjtë”.
Duke parë këto dy grupe njerëzish, tha në fund Papa Françesku, t’i lutemi Hyjit të na japë hirin e bindjes para Shpirtit të Shenjtë, që na mundëson të ecim përpara në jetë, të jemi krijues, të gëzueshëm, sepse këta njerëz nuk kishin gëzim. E aty ku ka tepër seriozitet, nuk ka vend për Shpirtin e Zotit. T’i lutemi Shpirtit të Shenjtë të na mbrojë nga shpirti i keq i madhërimit të vetvetes, i krenisë, i mbylljes së zemrës.








All the contents on this site are copyrighted ©.