2014-05-12 14:24:09

Traktat i devocionit të vërtetë për Marinë: “Maria në Kishën shenjte”, par. 27


Vijojmë të jetojmë, për disa çaste, me Marinë, në ditët e majit, që i kushtohet. Na prin, në meditimin tonë, Shën Luigji Maria Grignion de Monfort, me “Traktatin e devocionit të vërtetë për Marinë”, sot, kapitulli “Maria në Kishën shenjte”, paragrafi 27. E, nësa meditojmë, nuk mund të mos i lutemi Zojës së Bekuar të ndërmjetësojë për ne, që kemi aq shumë nevojë. Të ndërmjetësojë për ta zbutur zemërimin e Zotit mbi ne, mëkatarët e për të na hapur rrugën fatlume të Parrizit.RealAudioMP3
27. Hiri e përkryen natyrën e lavdia e përsos hirin. Është prandaj, e qartë se Krishti Zot, edhe në qiell, vijon të jetë Biri i Marisë, siç ishte mbi tokë, e prej këndej, ruan nënshtrimin dhe bindjen e më të përkryerit ndërmjet gjithë bijve, për më të mirën ndërmjet të gjitha nënave. Por në këtë vartësi, nuk duhet të shikojmë ndonjë formë të përuljes ose të papërsosurisë së Jezu Krishtit. Duke qenë Maria pambarimisht më poshtë se i biri, që është Hyj, nuk e komandon Krishtin, siç do të bënte një nënë këtu, mbi tokë me të birin. Sepse biri duhet t’i bindet. Maria, e shndërruar plotësisht në Hyjin nga hiri e lumnia, që i shndërrojnë shenjtorët në Të, nuk kërkon, nuk dëshiron e nuk bën asgjë, që mund të jetë në kundërshtim me vullnetin e amshuar e të pandryshueshëm të Atit të gjithëpushtetshëm. Kur lexohet, prandaj, në shkrimet e shenjtorëve Bernardi, Bernardini, Bonaventura etj etj, se në qiell e përmbi tokë gjithçka, e deri vetë Hyji, i binden Virgjërës së Shenjtë, ata duan të thonë se autoriteti, që Zoti i dha asaj, është aq i madh, sa të duket sikur ka të njëjtin pushtet me Hyjin e se lutjet e saj e kërkesat e saj janë aq të pushtetshme, sa të duken si urdhëra pranë Madhërisë së Tij, që nuk mund t’i kundërshtojë kurrë lutjet e nënës së dashur, sepse ajo është gjithnjë e përvuajtur e në përkim të plotë me vullnetin e Tij. Nëse Moisiu, me forcën e lutjes, i vu cak zemërimit të Hyjit kundër izraelitëve me aq fryt, sa i Tejetlarti e pambarimisht i mëshirshmi Zot, duke mos mundur t’i bëjë ballë, i tha se do ta fashiste furinë e vet të hyjnueshme e nuk do ta dënonte atë popull rebel, ç’duhet të mendojmë ne, me më shumë arsye, për lutjet e Marisë së përvuajtur, Nënës së denjë të Zotit, më të fuqishme pranë Madhërisë së Tij, sesa të tëra lutjet e ndërmjetësimet e mbarë engjëjve e shenjtorëve të qiellit e të tokës?








All the contents on this site are copyrighted ©.