Toka e Shenjtë: procesion i Zojës së Karmelit, pas sulmeve kundër të krishterëve
U kremtua, sot pasdite, 11 maj, procesioni tradicional për nder të Zojës së Malit
të Karmelit, në atë shteg, që në popull njihet me emrin Taalat al-Adra, e Përpjeta
e Zojës. Besimtarë të të gjitha riteve bënë dy kilometra e gjysëm rrugë, nga famullia
latine e Haifës, deri në manastirin karmelitan Stella Maris (Ylli i Detit), të prirë
nga skuadra e Skautëve, ardhur nga i gjithë vendi. Ecën duke u lutur e duke kënduar
himne për nder të Zojës së Bekuar, pas Patriarkut latin të Jeruzalemit, Fuad Tual.
Por sivjet, sipas njoftimit të agjencisë Fides, akti publik i devocionit për Marinë
pati një ngjyrim të veçantë, për shkak të kërcënimeve që, këto javët e fundme, janë
shpeshuar edhe në Galile.
“Në fund të
prillit, kujton në agjencinë Fides atë Mikhael Abdo Abdo, drejtues kombëtar i Veprave
Papnore Misionare në Tokën e Shenjtë dhe organizator i procesionit, pati akte vandalizmi
dhe frikësime kundër të krishterëve. Ipeshkvi Giacinto Boulos Marcuzzo mori një letër
kërcënuese, nënshkruar nga një rabin i zonës, në të cilën të krishterët quhen ‘idhujtarë’
e ‘të huaj’ dhe urdhërohen të largohen nga vendi deri në ditët e para të majit, nëse
nuk duan t’u nënshtrohen masakrave e dhunës. Sulmet në fund të prillit inkuadrohen
në fushatën frikësuese kundër të krishterëve e myslimanëve, që nisi që nga shkurti
i vitit 2012 nga ana e fraksioneve ekstremiste të Lëvizjes së kolonëve hebrenj. Ndërmjet
tjerash, pohon atë Abdo, në letër, rabini saktëson se protestantët dhe anglikanët
mund të mbeten në vend. Shenjë, kjo, që tregon se po vihet në jetë strategjia e përçarjes
së të krishterëve e, më në përgjithësi, e arabëve. E njëjta strategji, ndjehet fort
në presionet e bëra nga mjediset politike, për ta shtrirë shërbimin ushtarak të detyrueshëm
mbi të krishterët arabë, të pranishëm në Izrael. Faktet e fundit të dhunës e të
frikësimit ishin në qendër të vëmendjes në Konferencën e shtypit, mbajtur në fillim
të procesionit, me pjesëmarrjen e patriarkut Tual. Shtegtimi në të “Përpjetën
e Marisë”, është sjellje devocionale popullore me rrënjë të thella në jetën e banorëve
të Tokës së Shenjtë. Në kohët e Luftës I Botërore, kujton në agjencinë Fides atë Abdo,
turqit u patën dhënë Etërve Karmelitanë vetëm tri orë kohë për ta lënë Malin e Karmelit.
Ata u detyruan të largohen, duke marrë me vete vetëm ndonjë dokument të arkivit si
dhe shtatoren e Zojës Karmë.
Pas luftës, në vitin 1919, u kremtua procesioni
i parë, i paraprirë nga vetë shtatorja e Zojës së Karmelit, që u rikthye në manastirin
e vet. Ishte festë falënderimi, drejtuar Hyjit, për këtë rikthim. Vitet e fundit në
procesion ishin të pranishëm më se 20 mijë vetë, ndërmjet të cilëve, edhe hebrenj
e myslimanë. Në të kaluarën, turma e të divoçëmve, që ngjitej me procesion në atë
të Përpjetë, qe shumë më e madhe. Po sot numri është pakësuar, për shkak të kufizimeve
të lirisë së qarkullimit, gjë që i pengon shumë nga dëshirtarët, sidomos ata të Libanit
e të Territoreve Palestineze. Duan, por nuk munden. Kështu detyrohen ta vizitojnë
të Përpjetën e Zojës së Karmelit vetëm me lutje, nga larg, në pritje të rikthimit
të lirë në ato troje, që i përkasin e duhet t’i përkasin botës mbarë!