2014-05-12 16:56:57

Kardinali Toran në Jordani: fetë të promovojnë “pedagogjinë e paqes”


Të punojmë për të promovuar “pedagogjinë e paqes”: kjo qe thirrja e kryetarit të Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, kardinalit Zhan-Lui Toran në seminarin me temë “Feja dhe dhuna”, që po zhvillohet në Jordani, në “Petra University” të Amanit. Seminari, që synon promovimin e dialogut ndërfetar, është organizuar nga Instituti Mbretëror për Studimet Ndërfetare, nga delegacioni i Bashkimit Evropian në vend dhe nga Ambasada e Italisë, me rastin e vizitës së ardhshme të Papës Françesku në Tokën e Shenjtë. Dy, seksionet: njëri, historik e tjetri, fetar.RealAudioMP3
Duke folur në këtë të fundit, kardinali Toran nënvizoi rolin e rëndësishëm të feve në favor të paqes, në emër të dinjitetit të secilit e të solidaritetit për të gjithë. Me një vështrim mbi gjendjen në Siri, prelati nënvizoi nevojën e impenjimit të përbashkët të të gjitha feve për parandalimin dhe zhdukjen e dhunës, e cila, theksoi ai, nuk është guxim, por shpërthimi i furisë së verbër, që e degradon njeriun. Dhuna është edhe më poshtëruese, kur bëhet në emër të Zotit. Ç’mund të bëjnë krerët fetarë, në një situatë të tillë?
Së pari, shpjegoi kryetari i dikasterit vatikanas për dialogun ndërfetar, duhet të jemi të qartë se asnjë siuatë nuk e justifikon terrorizmin. Për këtë, duhet t’i kushtohemi promovimit të “pedagogjisë së paqes”, pra, duke ta nxisim diplomacinë e politikën të përqendrohet në kërkimin e së vërtetës dhe të elementeve, që i bashkojnë njerëzit. Gjithashtu, janë fetë ato, që duhet t’u mësojnë besimtarëve të tyre se pluralizmi nuk është sinonim i dhunës, por pasurim i ndërsjelltë; se i duhet hapur udha purifikimit të kujtesës përmes faljes e pajtimit dhe; t’u kujtojnë të gjithëve se është më mirë një paqe e vështirë se sa një luftë fitimtare.
Përsa i përket Kishës Katolike, vuri në dukje kardinali Toran, ajo frymëzohet nga parimet e lumnive ungjillore, sipas të cilave, i krishteri e vuan dhunën, por nuk e shkakton atë. I krishteri duhet të jetë dëshmitar i mirësisë, bujarisë dhe paqes. Jo të gjitha fetë, nënvizoi kardinali, predikojnë njëlloj për çështje si “lufta e drejtë”, “mbrojtja e ligjshme”, “xhihadi”, por në përgjithësi, janë të gjitha një mendje kur duhet pohuar se paqja është vlerë për t’u respektuar e për t’u promovuar dhe se dhuna nuk është kurrë përgjigjia më e përshtatshme ndaj fyerjeve, apo padrejtësive. Miqësia dhe respekti për ndryshimet janë të vetmet mjete për të shmangur shkatërrimin e vdekjen, pohoi në fund prelati. Seminari do të vazhdojë deri më 14 maj. Në fund të punimeve parashikohet paraqitja e një deklarate të përbashkët të krerëve fetarë të pranishëm.







All the contents on this site are copyrighted ©.