2014-05-10 19:33:22

Papa takohet me shkollën: 300 mijë vetë në Sheshin e Shën Pjetrit


Rreth 300 mijë nxënës e mësues ishin të pranishëm, sot pasdite, në Sheshin e Shën Pjetrit, në Rrugën e Pajtimit e në zonat përreth, për takimin e shkollës italiane me Papën Françesku. Në këtë takim, organizuar nga Konferenca ipeshkvnore italiane, morën pjesë jo vetëm institutet katolike, por të gjitha shkollat e vendit.RealAudioMP3

E nisi me kujtimin e mësueses të klasës së parë, Papa, këtë takim, duke i shprehur, tani që flet nga katedra e Shën Pjetrit, e ajo pushon në paqe, mirënjohjen e thellë, sepse ishte ajo, që e mësoi ta dojë shkollën!
E dua shkollën, nënvizoi më pas, sepse është sinonim me njohjen e realitetit. Të paktën kështu duhet të ishte. Por shpesh nuk është, e atëherë do të thotë se duhet ndryshuar paksa, kujtoi, në fillim të fjalës, drejtuar turmës entuziaste e të larme me të rinj nga të gjitha moshat. Të shkosh në shkollë, vijoi, do të thotë ta hapësh mendjen e zemrën, për të njohur realitetin, pasuritë e tij, përmasat e tij. E kjo është tejet e bukur! Vitet e para mësohet 360 gradë, pastaj, dalëngadalë thellohesh në një drejtim të caktuar e, së fundi, specializohesh. Por kush është mësuar të mësojë, vijon të mësojë tërë jetën, mbetet njeri i lidhur vazhdimisht me realitetin. Këtë mësim e jepte edhe një edukator i madh italian, që ishte prift: Don Lorenco Milani.
A e dini ç’dëshroj t’ju them – i pyeti në vijim Papa mijëra të pranishmit, që e ndiqnin në kulmin e entuziazmit:
“Dua t’ju them se mësuesit janë të parët, që duhet të lidhen me realitetin, me mendjen gjithnjë të mprehur për të mësuar! Po, sepse një mësues, që nuk është i gatshëm të mësojë gjithnjë, nuk mund të jetë mësues i mirë, e as interesant nuk mund të jetë. Nxënësit e kuptojnë menjëherë, kanë nuhatje të hollë e tërhiqen pikërisht nga profesorët me mendje të gjerë, që kërkojnë gjithnjë diçka më shumë, e kështu ia ngjitin edhe studentëve ethen e studimit të vazhdueshëm. E kjo është arsyeja e parë, për të cilën e dua shkollën”.
Shkolla është vendi i takimit, vijoi Papa. Aty takohen shokët, takohen mësuesit, takohet personeli ndihmës. Prindërit takohen me profesorët; drejtori takohet me familjen etj. etj. Është vend takimi. E kjo ka rëndësi themelore kur nxënësi lëshon shtat, gjë që plotëson punën e familjes.
Familja është bërthama e parë e marrëdhënieve, vijoi të kujtojë Ati i Shenjtë: marrëdhënia me nënën, me babanë, me vëllezërit. Kjo është baza, që të shoqëron gjithë jetën. Po në shkollë ne shoqërizohemi: takojmë njerëz të ndryshëm, me moshë, kulturë, origjinë të ndryshme. Shkolla është shoqëria e parë, që e plotëson familjen:
“Familja e shkolla nuk duhet t’i kundërvihen kurrë njëra-tjetrës, sepse e plotësojnë njëra-tjetrën, e prej këndej, ka shumë rëndësi që të bashkëpunojnë, në respekt reciprok. Kjo të kujton një fjalë të urtë afrikane, e cila thotë: “Për të edukuar një fëmijë, duhet një fshat i tërë”.
Papa Françesku i ftoi të gjithë ta përsërisin këtë proverb, për të mos harruar se duhen shumë, shumë njerëz rreth fëmijës, për ta edukuar e për ta mirërritur.
E pastaj, vijoi, e dua shkollën, sepse na edukon me të vërtetën, të mirën, të bukurën. Edukimi nuk mund të jetë asnjanës: o është pozitiv, o negativ. O pasuron, o varfëron; o e rrit njeriun, o e shtyp e, madje, edhe zvetënon. Misioni i shkollës është të zhvillojë ndjenjën e së vërtetës, të së mirës, të së bukurës, theksoi Ati i Shenjtë, e këtu u dha të gjithëve një këshillë, që nuk duhet harruar kurrë, sepse me vlerë të përhershme:
“Gjithnjë është më e bukur disfata e pastër, sesa fitorja e ndyrë!”.
E kjo arrihet përmes një udhe të pasur, të përbërë nga shumë elemente, shtoi. Ja pse kemi shumë disiplina! Sepse zhvillimi është fryt i shumë elementeve, që veprojnë së bashku dhe zhvillojnë inteligjencën, ndjenjat, trupin... Për shembull, po të studoj këtë shesh, Sheshin e Shën Pjetrit, mësoj gjëra që kanë të bëjnë me arkitekturën, me historinë, me fenë, me astronominë – obelisku na kujton diellin – por pak e kush e di se ky Shesh është edhe një orë e madhe diellore:
“Kështu kultivojmë në mendje e në shpirt të vërtetën, të mirën, të bukurën; e mësojmë se këto tri përmasa nuk ndahen kurrë, por ndërthuren gjithnjë. Nëse një gjë është e vërtetë, është edhe e mirë e e bukur; e nëse është e bukur, është e mirë dhe e vërtetë; nëse është e mirë, është e vërtetë dhe e bukur!”.
E të gjithë këto elemente, marrë së bashku, na ndihmojnë ta duam jetën, edhe kur jemi keq, edhe në mes të problemeve, shtoi Ati i Shenjtë, duke kujtuar se edukimi i mirë na bën ta duam jetën, na bën ta jetojmë me fund jetën!
Në përfundim Papa falënderoi organizatorët e kësaj dite dhe të gjithë ata, që erdhën në këtë festë të rinisë shkollore:
“Udhë të mbarë në shkollë, udhë që të rrit e të mëson tri gjuhë, të cilat duhet t’i dinë të gjithë: gjuhën e mendjes, të zemrës, të duarve: tri gjuhë, në harmoni, së bashku!”.“Mos të lejojmë të na e rrëmbejnë dashurinë për shkollën!”- ishte porosia e fundit e Papës, para ndarjes me atë turmë gazmore, që këndoi hareshëm, brohoriti gëzueshëm, por edhe i dëgjoi, në heshtje të thellë, fjalët e Papës Françesku, për t’i medituar më mirë, pastaj, në rrugën e gjatë, e jo gjithnjë të lehtë, të viteve shkollore!







All the contents on this site are copyrighted ©.