2014-05-10 13:53:49

Java IV e Pashkëve


Në Javën e katërt të Pashkëve, në Ungjillin sipas Gjonit, Jezusi paraqitet si Bariu i mirë. Leximi i dytë, nga Letra e Parë e Pjetrit, thotë se Jezusi “mbarti mëkatet tona në trupin e vet, në drurin e kryqit”. Bariu i mirë merr përsipër njeriun e lënduar nga mëkati. Mëkati është bjerrja e njeriut, prandaj, për ta gjetur këtë krijesë të humbur, Bariu i amshuar duhet të hyjë në realitetin e së keqes, brenda plagës së njeriut të lënduar. RealAudioMP3
“Bashkë me mëkatin, në botë hyri vdekja” – thotë Shën Pali në Letrën drejtuar Romakëve. Jezusi hyri brenda vdekjes, për të gjetur njeriun e humbur. Ai që mori përsipër mëkatin tonë, në drurin e kryqit, na liron nga dënimi i mëkatit dhe na shpall të drejtë para Hyjit Atë, që ne, “duke mos jetuar më për mëkatin, të jetojmë për drejtësinë” – sikurse shkruan Pjetri, në leximin e dytë.
Njëri nga pohimet më të forta të Letrës së Pjetrit është ky: “Me anë të plagëve të tij u shëruam”. Bariu i mirë është edhe bariu i plagosur. Kjo nuk tregon vetëm sa shumë na ka dashur Hyji, sa të pranojë plagët për shkakun tonë, por sa shumë na kupton një Hyj, që ndan me ne, njerëzit, gjendjen e lëndueshme, në të cilën mëkati na detyron të jetojmë. Plagët e Krishtit i shërojnë plagët tona, sepse ato janë plagët e dashurisë së përsosur, ndërsa tonat janë plagët e dashurisë së papërsosur, madje nganjëherë, të urrejtjes. Ta lejosh Bariun e mirë të të gjejë e të të kthejë në shtëpinë e Atit, do të thotë të mos ia fshehësh plagët atij, që është plagosur për ty.
Shpesh herë dhimbja bëhet arsyeja e njeriut për të mos e pranuar Hyjin. Në dhimbje, mbyllemi për t’u mbrojtur, sepse kemi frikë që dikush të vërë dorë në plagët tona. Pjetri thotë: “Përmes plagëve të tij u shëruam”. Vetëm një Hyj i lënduar mund t’i prekë plagët tona pa i dhunuar ato. Krishti është Hyji i lënduar në njeriun Jezus nga Nazareti. Duke prekur plagët e tij, me anë të fesë, të lutjes, të dashurisë për të tjerët, të faljes, e lejojmë që ai të shërojë plagët tona.
Ai është i ringjalluri. Pasi e ka njohur pafuqinë njerëzore deri në vdekje, me fuqinë e Hyjit e ka thirrur njeriun nga vdekja në jetë, në Pashkët e ringjalljes. Me të njëjtën fuqi i thërret nga vdekja në jetë edhe njerëzit të kohës sonë, me anë të kumtimit të Ungjillit. Ta lejojmë t’i prekë plagët tona me plagët e tij, që të na shërojë e të la lirojë.

Jezusi i ringjallur dëftohet përmes barinjve të Kishës

Figura e bariut, që u prin deleve, ishte familjare për Izraelin, popull endacakësh: në kohët e mëvonshme figura e bariut u bë burim frymëzimi për të medituar mbi marrëdhëniet me Hyjin. Kryetarët e bashkësive fetare duhej të ishin shërbëtorë të bariut të vetëm, por tepër shpesh tradhtuan dhe u shmangën nga udha e drejtë, sepse ndoqën interesat egoiste dhe synimet politike, duke e zhvatur grigjën e Hyjit.
Jezusi paraqitet bari sipas zemrës së Hyjit, si ai, të cilin e kishin paralajmëruar profetët. E njeh Atin nga afër dhe ua përçon këtë njohje nxënësve të vet. Për këtë arsye ai është “dera”, ndërmjetësuesi. Ai e njeh mirë gjendjen tonë, sepse si një “qengj” mbarti mbi vete mëkatet tona. Ai u prin të vetëve me autoritetin e atij, që ka dashuri dhe ka dhënë jetën. Ne, me anë të fesë, e dëgjojmë zërin e tij dhe e ndjekim.

Të bashkuar me anë të fesë dhe të dashurisë

Para se të kthehej në krahun e djathtë të Atit, Jezusi i besoi kolegjit të Apostujve (në mënyrë të veçantë Pjetrit, si kryetar i këtij kolegji) shërbesën e vet baritore ndaj atyre, që kanë mbërritur tashmë tek dera e vathës dhe ndaj atyre, që ende duhet të mbërrijnë. Kjo shërbesë e bën të frytshme praninë e Krishtit të ringjallur mes të vetëve, e zgjat në kohë (vijimësia apostolike) dhe në hapësirë (kolegjialiteti). Si të gjitha realitetet, që i përkasin Kishës shtegtuese, shërbesa baritore i përket rendit sakramental dhe na drejton tek Krishti, i cili, i padukshëm, u prin të vetëve drejt bashkimit me Atin, nëpërmjet shërbëtorëve të Fjalës dhe të sakramenteve. Edhe në “qeverisje” e në ushtrimin e përgjegjësisë ndaj bashkësisë dhe secilit anëtar, barinjtë e dinë se autoriteti i tyre lind nga bindja ndaj Krishtit, të cilën ata duhet ta shprehin dhe tërë Kisha duhet ta kërkojë.

Barinjtë, udhëheqës të vëllezërve

Sot nuk është e lehtë të flitet për “barinjtë” e Kishës, për shkak të shtresëzimeve historike, që i kanë shtrembëruar perspektivat dhe e kanë tjetërsuar mendësinë edhe ndër besimtarë. Sot e kemi për detyrë t’u kthejmë sa më shpejt vërtetësinë dhe natyrën e mirëfilltë barinjve dhe funksionit të tyre në Kishë. Papa, bariu suprem, shihet nga shumë vetë edhe sot e kësaj dite si prijës politik, diplomat i stërholluar, shprehje e një absolutizmi, tashmë jashtë kohe. Është e nevojshme ta shikojmë, siç është me të vërtetë, si qendra e bashkimit dhe e kohezionit të Kishës. Ipeshkvi nuk është dinjitar, funksionar i lartë i shpirtit, larg grigjës së vet, i shkëputur prej saj, por qendra e bashkimit e Kishës vendore, mësuesi dhe ati i familjes dioqezane.
Famullitari dhe meshtarët e angazhuar në shërbesën baritore nuk janë burokratë dhe funksionarë, të cilëve mund t’u drejtohemi për të kryer disa “praktika”, për të marrë disa “rekomandime”, nuk janë as shpërndarës lëmoshash apo sakramentesh. Janë, mbi të gjitha, “barinj” krejtësisht të përkushtuar ndaj popullit të tyre, që shërbejnë me dashuri dhe përkushtim të plotë. Autoriteti i Kishës, për ushtrimin e të cilit ngarkohen disa njerëz, nuk është tjetër, përveçse shenja e qeverisjes së Zotit: nuk është autoritet absolut, por tërësisht i varur nga Krishti i ringjallur.

Bariun tonë e njohim në asamblenë liturgjike

Vetëm Jezusi është bariu i vërtetë: nën këtë kategori Gjoni vijon të na zbulojë misterin e personit të Krishtit: ai është “dera” që na lejon të bashkohemi me Atin. Në pagëzim, bariu ynë na ka shpëtuar dhe na ka shëruar. Jemi kthyer tek ai dhe, kur mblidhemi në bashkësi, ai na fton edhe një herë të kthehemi, gjithmonë e më thellësisht, me më shumë besnikëri, tek bariu ynë. Kur dëgjojmë Fjalën, që na kumtohet, njohim zërin e tij dhe, falë fesë, ndriçohemi mbi misterin e Bariut të vërtetë, i cili me anë të flijimit të tij, i mbledh delet e shpërndara.
Në lutjen eukaristike e falënderojmë Atin për vdekjen dhe ringjalljen e Krishtit, ndërsa, të bashkuar me bariun tonë, bëhemi, në të, “një trup i vetëm e një shpirt i vetëm”, për të formuar grigjën e të shpëtuarve. Në fund, në kungim, marrim “jetën e begatë”, trupin dhe gjakun e Krishtit: ai vetë na ka përgatitur një tryezë dhe është bërë ushqim për ne. Me mirënjohje mund të këndojmë: “Kelku im gufon”, ndërsa feja në atë që është “rojtari i shpirtrave tanë” na jep sigurinë se do ta pijmë me të këtë kelk në Mbretërinë e Atit. Por, ndërkohë, kremtimi bëhet edhe angazhim për kthim të përhershëm, për një jetë të denjë për vathën e Krishtit. Si Bariu, edhe i krishteri duhet të shkojë në kërkim të deleve të humbura, në një botë të bjerrë (me të varfër, të sëmurë, jobesimtarë), me qëllim që të gjithë të mund të njohin dhe të ndjekin me vërtetësi atë i cili është “dera”, që na çon tek shpëtimi dhe jeta.

Krishti, Bariu i mirë
(Nga “Homelitë mbi ungjijtë”, të Shën Gregorit të Madh, papë, Hom. 14)

“Unë jam Bariu i mirë. I njoh delet e mia”, domethënë i dua, “dhe delet e mia më njohin mua” (Gj 10,14). Është njësoj si të thoshte: i përgjigjen dashurisë së atij që i do. Njohja i prin gjithmonë dashurisë për të vërtetën.
Pyeteni veten, vëllezër fort të dashur, a jeni delet e Zotit, a e njihni atë, a e njihni dritën e të vërtetës. Nuk flas vetëm për njohjen me anë të fesë, por edhe me anë të dashurisë, jo vetëm të besimit, por edhe të veprave. Ungjilltari Gjon, në fakt, jep këtë shpjegim: “Kush thotë: e njoh Hyjin, por nuk i zbaton urdhërimet e tij, është gënjeshtar” (1Gj 2,4).
Prandaj, në po këtë pjesë të Ungjilli, Jezusi shton menjëherë: “Sikurse Ati më njeh mua e unë njoh Atin dhe jap jetën time për delet” (Gj 10,15). Është si të thoshte hapur: nga kjo del se unë e njoh Atin dhe Ati më njeh mua, sepse jap jetën time për delet e mia; domethënë, unë e tregoj se në çfarë mase e dua Atin nga dashuria me të cilën vdes për delet.
Për këto dele, përsëri thotë: Delet e mia e dëgjojnë zërin tim dhe unë i njoh e ato më ndjekin. Unë u jap jetën e amshuar (khs. Gj 10,14-16). Për delet kishte thënë pak më parë: “Nëse dikush hyn përmes meje, do të jetë i sigurt. Do të hyjë e do të dalë dhe do të gjejë kullotë” (Gj 10,9). Do të hyjë me anë të fesë, do të dalë nga feja tek pamja, nga besimi tek kundrimi, dhe do të gjejë kullotë në banketin e amshuar.
Delet e tij do t’i gjejnë kullotat, sepse kushdo e ndjek me zemër të çiltër, ushqehet me një shujtë, që është përherë e freskët. Cilat janë kullotat e këtyre deleve, përveçse lumnitë e thella të parajsës, që është pranverë e amshuar? Në të vërtetë kullota e të zgjedhurve është prania e fytyrës së Hyjit dhe, ndërsa e kundrojmë pa pasur frikë se do ta humbim, shpirti ngihet pafund me ushqimin e jetës.
T’i kërkojmë, pra, vëllezër të dashur, këto kullota, në të cilat mund të gëzohemi me praninë e shumë bashkëqytetarëve. Le të na bëjë për vete gëzimi i atyre, që janë të lumtur. Ta ripërtërijmë, vëllezër, shpirtin tonë. Le të përndizet feja me çfarë ka besuar. Dëshirat tona le të përflaken nga të mirat e epërme. Në këtë mënyrë, dashuria do të jetë një rrugëtim. Asnjë kundërshti të mos na largojë nga gazi i festës shpirtërore, sepse, nëse dikush dëshiron të arrijë pikësynimin e caktuar, asnjë ashpërsi e rrugës nuk do të mund ta ndalë. Asnjë begati të mos na miklojë e të na bëjë për vete, sepse është i marrë ai udhëtar, që gjatë rrugëtimit ndalet për të parë lëndinat e bukura dhe harron të shkojë atje ku ishte nisur të shkonte.

Shën Agostini: Nga Komenti i Ungjillit sipas Gjonit

Por çfarë do të thotë: do të hyjë e do të dalë dhe do të gjejë kullotë? Të hysh në Kishë nëpër derën, që është Krishti, është sigurisht gjë shumë e mirë; por të dalësh nga Kisha në mënyrën në të cilën shprehet vetë Gjoni në Letrën e tij: dolën prej nesh, por nuk ishin prej tanëve (1 Gjn 2,19), nuk është sigurisht gjë e mirë. Nuk është e mundur që Bariu i Mirë, duke thënë do të hyjë e do të dalë e do të gjejë kullotë, ta miratojë një dalje të tillë. Ekziston, pra, një mënyrë pozitive për të hyrë dhe një mënyrë negative për të dalë, përmes derës së ligjshme, që është Krishti. Por çfarë është kjo dalje e lavdërueshme dhe e hareshme? Mund të thuhet se ne hyjmë kur mblidhemi brenda vetes sonë për të menduar dhe se dalim, kur jemi përjashta nesh, me anë të veprimit; dhe meqë, siç thotë apostulli, me anë të fesë Krishti banon në zemrat tona (khs. Ef 3,17), të hysh nëpërmjet Krishtit do të thotë të mendosh dritën e fesë, ndërsa të dalësh nëpërmjet Krishtit, do të thotë ta përkthesh fenë në vepra para njerëzve. Prandaj në një psalm lexojmë: Del njeriu nga puna e vet (Ps 103,25) dhe vetë Zoti thotë: Le të shkëlqejnë veprat tuaja para njerëzve (Mt 5,16). Por unë parapëlqej të dëgjoj vetë të vërtetën, atë që është Bariu i Mirë dhe mësuesi i urtë. Ai na ka mësuar si duhet ta kuptojmë fjalën e tij, do të hyjë e do të dalë dhe do të gjejë kullotë, duke shtuar: Vjedhësi nuk vjen përveçse për të vjedhur, për të vrarë, për të shkatërruar: unë erdha që të kenë jetën dhe ta kenë të tejbegatë (Gjn 10,10). Më duket se donte të thoshte: që ta kenë jetën kur të hyjnë, dhe ta kenë edhe më të begatë, kur të dalin. Nuk mund të dilet nëpërmjet derës, që është Krishti, dhe të hyhet në jetën e amshuar, ku do të shihet Hyji sy më sy, nëse nuk hyhet më parë, nëpër të njëjtën derë, që është Krishti, në vathën e Kishës së tij, në jetën e përkohshme, që është jeta e fesë.







All the contents on this site are copyrighted ©.