2014-05-10 16:19:28

Françesku: duhet solidaritet, për të dalë nga kriza


Ka shumë rëndësi të punohet për vlerën e solidaritetit! Këtë theksoi sot Papa Françesku që, duke pritur anëtarët e Fondacionit Centesimus Annus-Pro pontifice, i porositi të mos i lënë vetëm sipërmarrësit, në situatën e rëndë të krizës. Françesku, që e ka fort për zemër temën e punës, rikujtoi se Ungjilli na kërkon ta vëmë gjithnjë në plan të parë njeriun dhe të mirën e përbashkët, edhe në marrëdhëniet ekonomike.RealAudioMP3
Ati i Shenjtë shfrytëzoi rastin e audiencës me Fondacionin Centesimus Annus, për t’u ndaluar tek shkaqet e krizës, që po e heq zvarrë botën prej një kohe tepër të gjatë, duke u rrëmbyer sipërmarrësve gjumin e shpesh edhe shpresat. Si vuri rishtas me forcë theksin mbi ndarjen e përbashkët dhe solidaritetin, Papa vijoi të kujtojë se në sistemin e sotëm ekonomik e, si pasojë, edhe në mendësinë, që lind prej tij, fjala solidaritet është bërë shqetësuese, madje e mërzitshm. E, herë-herë, shikohet deri si të ishte fjalë e ndyrë, që nuk duhet përdorur, shtoi Ati i Shenjtë, duke u folur lirisht të pranishmëve:
“Kriza e këtyre viteve, me shkaqe të thella të natyrës etike, e ka shtuar ‘alergjinë’ për fjalë si solidariteti, shpërndarja e drejtë e të mirave materiale, përparësia e punës…E arsyeja kryesore është se nuk mundet, a më mirë të themi, nuk do të studiojë në ç’mënyrë këto vlera etike, mund të bëhen konkretisht vlera ekonomike, domethënë, nuk do ta nxisë zhvillimin e ndershëm në prodhim, në punë, në tregti, në vetë financën”.
Ati i Shenjtë kujtoi se, në këtë atmosferë, sipërmarrësit e krishterë kanë një detyrë të posaçme: ta ballafaqojnë gjithnjë Ungjillin, me realitetin, ku punojnë:
“Ungjilli u kërkon ta vënë në plan të parë njeriun, të mirën e përbashkët, të luajnë rolin e tyre, që të krijohen mundësi për punë, për punë dinjitoze. Natyrisht kjo sipërmarrje nuk mund të kryhet duke u izoluar, por duke bashkëpunuar me të tjerët, që mbështeten mbi të njëjtën bazë etike e duke u përpjekur për ta zgjeruar sa më shumë rrjetin”.
Bashkësia e krishterë, në shprehjet e veta më të ndryshme, shtoi Papa, është vendi ku sipërmarrësi, por edhe politikani, profesionisti e sindikalisti, thithin limfën e nevojshme për të ushqyer impenjimin e tyre e për të bashkëpunuar si vëllezër.








All the contents on this site are copyrighted ©.