2014-05-09 16:57:23

Papa Veprave Papnore Misionare: hapini portat e Kishës, që aty të gjejnë strehë të gjithë


“Kisha, misionare për vetë natyrën e saj, ka si veçori shërbimin e dashurisë për të gjithë. Vëllazërimi e solidariteti universal janë të natyrshme në jetën e në misionin e saj në botë e për botën”. Këtë theksoi Papa Françesku, duke u takuar, sot paradite, në Vatikan, me drejtuesit kombëtarë të Veprave Papnore Misionare dhe bashkëpunëtorët e Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve.

Dëshira për të ungjillëzuar deri në kufijtë më të largët të tokës, tha Papa Françesku, ndihmon për një veprimtari baritore, që vihet në shërbim të të gjithëve:
Veprimtaria misionare është paradigma e çdo vepre të Kishës”.
Një botë, që ndryshon thellësisht çdo ditë, ka nevojë për një Kishë të përtërirë:
Ungjillëzimi, në këtë kohë shndërrimesh të mëdha shoqërore, kërkon një Kishë misionare, që del ndërmjet njerëzve, një Kishë të aftë për t’u ballafaquar me kultura të ndryshme e vizione të ndryshme të njeriut”.
Ndjehet nevoja për një Kishë të shndërruar nga takimi personal me Krishtin, përmes forcës së Shpirtit Shenjt:
“Është Shpirti i Krishtit, burimi i përtëritjes, që na bën të gjejmë rrugë të reja, forma të ndryshme të shprehjes për ungjillëzimin e botës së sotme”.
Duhet të kemi guximin, shpjegoi Papa, të arrijmë në të gjitha periferitë, që kanë nevojë për dritën e Ungjillit:
Nuk mund të na ndalojnë as ligështitë tona, as mëkatet tona e as pengesat e shumta, që has dëshmia dhe shpallja e Ungjillit”.
Vëllazërimi e solidariteti janë të natyrshme për jetën dhe misionin e Kishës në botë. Ungjillëzimi duhet të arrijë tek të gjithë, por duke nisur nga më të fundmit, nga të varfërit:
Kisha është populli i lumnive, shtëpia e të varfërve, e të munduarve, e të përjashtuarve dhe e të persekutuarve, është e atyre, që kanë uri e etje për drejtësi”.
Duke folur me drejtuesit kombëtarë të “Veprave Papnore Misionare”, Ati i Shenjtë i nxiti të promovojnë, me ngulm e durim, përgjegjësinë e përbashkët misionare:
“Juve ju kërkohet të punoni që bashkësitë kishtare të dinë t’i pranojnë me dashuri të veçantë të varfërit, duke i hapur në dy kanatat portat e Kishës, që të gjithë të mund të hyjnë aty e të gjejnë strehë”.
Veprat Papnore Misionare, pohoi në përfundim Papa, janë mjeti i privilegjuar, që kërkon “missio ad gentes”. Kemi shumë nevojë, përfundoi, për priftërinj, rregulltarë e besimtarë laikë, të gatshëm për të ecur në rrugën e ungjillëzimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.