2014-05-09 15:22:27

Papa: Kisha në Etiopi e në Eritre, shembull solidariteti


Sot paradite, Papa Françesku priti ipeshkvijtë e Etiopisë dhe të Eritresë, në Vatikan, për vizitën e tyre “ad Limina”. Ati i Shenjtë i falenderoi për impenjimin e tyre bamirës, duke kujtuar gjendjen e popullsive të zhytura në varfëri, edhe për shkak të konflikteve të shumta, fatkeqësive natyrore e thatësirës, probleme të zakonshme për Bririn e Afrikës. Kisha Katolike në këto dy vende, të cilat e kanë dëshmuar Krishtin që në agim të krishterimit, ka programe shoqërore, që frymëzohen nga Ungjilli, sidomos për fëmijët e mbetur jetimë për shkak të dhunës e të varfërisë. Papa përmendi edhe të rinjtë, që detyrohen të marrin rrugën e rrezikshme të mërgimit, në kërkim të një jete më të mirë.
Papa Françesku lavdëroi punën e misionarëve, që kontribojnë në shtimin e bashkësive kishtare lokale e në konsolidimin e tyre, duke u përpjekur t’i kumtojnë gjithë shoqërisë mesazhin e Krishtit e jo vetëm atyre, që e njohin. Ipeshkvijtë e Etiopisë dhe të Eritresë i nxiti të jenë etër të mirë me priftërinjtë. Vetë meshtarët duhet të kenë një formim të gjithanshëm, human, shpirtëror, intelektual dhe baritor e të sillen me njëri-tjetrin si vëllezër të vërtetë, duke mbartur mbi supe peshën e problemeve të përbashkëta.
I njëjti kujdes u duhet kushtuar laikëve, nënvizoi Papa, i cili vlerësoi hapat e bëra për formimin e tyre katekistik e për përfshirjen e të rinjve në jetën kishtare. Është e nevojshme që burrat e gratë e dy vendeve afrikane të dinë t’i orientojnë të rinjtë për t’i dhënë kuptim jetës së tyre e për të kërkuar sigurinë e së ardhmes, në një kohë kur mundësia për të gjetur punë është më e vogël. Në fund, Papa falenderoi ipeshkvijtë për impenjimin në favor të të moshuarve, "dëshmi e pranisë së Zotit mes jush", u tha, e hir i jashtëzakonshëm për njerëzit.







All the contents on this site are copyrighted ©.