2014-05-09 15:33:53

Kuvend ndërkombëtar për punën në Vatikan: të rizbulohet ekonomia reale


Puna si çast krijues, edhe në kohë krize. Ky është njëri nga interpretimet që po propozon Fondacioni “Centesimus Annus” në kuvendin ndërkombëtar me temë “Shoqëria e mirë dhe e ardhmja e punës: a munden solidariteti dhe vëllazërimi të jenë pjesë e vendimeve në botën e biznesit?”. Takimi u hap dje dhe do të përfundojë nesër në Sallën e re të Sinodit, në Vatikan. Nesër, në mesditë, pjesëmarrësit do të priten nga Papa Françesku. Ekonomia pra, thonë ekspertët e mbledhur në Romë, mund të ecë përpara vetëm nëse bazohet mbi vlera të patjetërsueshme. Të dëgjojmë opinionin e zv.presidentit të Akademisë italiane të “Lincei” (rrëqebull, në shqip), prof. Alberto Kuadrio Kurcio, i pranishëm në kuvend. Kujtojmë se Akademia e “Lincei” është më e lashta shkencore në botë. Ndër anëtarët e parë të saj ka qenë Galileo Galilei. Por t’ia japim fjalën prof. Kurcios:
Së pari, të nisemi nga vlerat, do të thotë se e kemi kuptuar në ç’drejtim do të ecë veprimtaria jonë e të priremi drejt këtij objektivi, duke e ditur se mund të mos e realizojmë atë menjëherë.
Bota e sotme e punës karakterizohet nga pabarazi të thella edhe në vendet e zhvilluara. Duket sikur solidariteti ndërmjet shtresave shoqërore është gati i pamundur, apo jo?
Solidariteti ndërmjet shtresave e klasave, sigurisht, është një sfidë e vështirë, por duhet të kemi parasysh se po përvijohet një demokraci e shëndoshë në disa fusha. Për shembull, në fushën institucionale, me politikat për arsimin, për punësimin e parë, për formimin etj.. Por, pasi institucionet e kryejnë punën e tyre, politikat duhet të zbatohen e ky shndërrim i tyre në fakte varet nga shoqëria e nga ekonomia. E këtu ka shumë subjekte: në shoqëri, organizatat e shoqatat; në ekonomi, ndërmarrjet e firmat. Secila prej këtyre formave mund të japë kontributin e saj për realizimin e objektivave, por e vetme, pa komunikuar me të tjerat, nuk do të arrijë asnjë rezultat.
Papa Françesku flet për tiraninë e parasë e për hyjnizimin e tregut. Si mund të dilet nga kjo spirale?
Është e vështirë të japësh një përgjigje të vetme, por një përpjekje mund të bëhet përmes asaj, që ekonomistët e quajnë “ekonomia reale”, domethënë ekonomia e bazuar në veprimtarinë prodhuese. Këtu mund të përfshihet realizimi i infrastrukturave që respektojnë ambientin, ruajtja e territorit dhe prodhimi i një energjie ekologjike, shpërndarja më e mirë e veprimtarive ekonomike në shkallë kombëtare e ndërkombëtare... Me një fjalë, vepra, që shihen konkretisht e jo thjesht, qarkullim parash.







All the contents on this site are copyrighted ©.