Ata që mbarështojnë Sakramentet në Kishë duhet t’i hapin vend Hirit Hyjnor dhe të
mos ngrenë pengesa të tipit “burokratik”. Kështu tha sot Papa
Françesku në homelinë e meshës së mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës. Është Zoti,
ai që ungjillëzon, ripohoi të vërtetën e shpallur gjithmonë nga Kisha, por duke i
vënë përballë sjelljen e disa klerikëve, që me burokratizimin e skajshëm nuk i lejojnë
njerëzit t’i afrohen Hyjit. Papa mori si shembull shën Filipin Apostull, i cili në
pjesën e sotme nga Veprat e Apostujve vë në dukje tri cilësi të të krishterit: bindje
ndaj Shpirtit Shenjt, dialog dhe besim në Hirin Hyjnor. E para vërehet kur Shpirti
i bën të kuptojë Filipit se duhet të ndërpresë çdo veprimtari e të gjejë karrocën,
me të cilën udhëtonte ministri i mbretëreshës së Etiopisë, që po shkonte nga Jeruzalemi
në Gazë: “Ai, Filipi, bindet, pra është i dëgjueshëm kur e thërret Zoti. Sigurisht,
la shumë gjëra, që duhej të bënte, sepse Apostujt, në ato kohë, ishin tepër të zënë
me ungjillëzimin. Por lë gjithçka dhe shkon. E kjo na tregon se pa bindjen para zërit
të Zotit, askush nuk mund të ungjillëzojë, askush nuk mund të kumtojë Jezu Krishtin:
shumë-shumë, mund të kumtojë vetveten. Është Zoti, ai që thërret, është Zoti që e
vë Filipin për udhë. E Filipi shkon. Bindet”. Për Filipin, takimi me ministrin
etiopas bëhet rast për kumtimin e Ungjillit. Por ky kumtim, shpjegon Papa Françesku,
nuk është mësim që bie nga qielli, nuk imponohet. Është dialog, që Apostulli e fillon,
duke respektuar ndjeshmërinë shpirtërore të bashkëbiseduesit, i cili po lexonte një
pjesë nga Isaia Profet, pa arritur ta kuptonte: “Nuk mund të ungjillëzojmë pa
dialog. Nuk është e mundur. Sepse duhet të nisesh nga niveli i personit për t’u ngjillëzuar.
Sa e rëndësishme është kjo! ‘Por, more atë, humbasim kaq shumë kohë, sepse secili
ka historinë e vet, vjen me të, me idetë e tij…’. Humbe kohën… Zoti vetë ka humbur
më shumë kohë se kaq gjatë krijimit të botës, por e ka bërë mirë ama! Dialog. Duhet
ta humbim kohën me tjetrin, sepse atë njeri do Zoti që ti ta ungjillëzosh; është më
e rëndësishme që ti t’i japësh lajmin për Jezusin. [Duke pasur parasysh] si është,
jo si duhet të jetë: si është tani”. Fjalët e Filipit zgjojnë tek ministri
etiopas dëshirën për t’u pagëzuar e kështu ndodhi, sapo hasën në një curril uji. Filipi
e pagëzon etiopasin, pra, vërejti Papa, e lëshon në duart e Zotit, në Hirin e Tij.
Vetë ministri është në gjendje më pas të jetë ungjillëzues e kjo na bën të kuptojmë
më mirë se çdo gjë tjetër se ungjillëzimin e bën Hyji: “Të mendojmë për këto
tre çaste të ungjillëzimit: bindjen për të ungjillëzuar; të bëjmë atë për të cilën
na dërgon Zoti, me dialog me njerëzit – por në dialog nisemi nga niveli i tyre – dhe,
së treti, ta lemë veten në dorën e Hirit Hyjnor: Hiri është më i rëndësishëm se krejt
burokracia. ‘Çfarë na pengon për çfarë?’. Ta kujtojmë këtë. Shpesh, ne, në Kishë,
jemi një ndërmarrje prodhuese pengesash, që njerëzit të mos arrijnë tek Hiri Hyjnor.
Zoti na ndihmoftë ta kuptojmë këtë”.