2014-05-08 13:13:58

Papa Françesku takohet me Karekinin II: ekumenizmi i martirizimit, fara e bashkimit


Papa Françesku u takua sot në Vatikan me Katolikosin e të gjithë Armenëve, Karekinin II.RealAudioMP3 “Jam shumë i lumtur t’ju uroj Juve, Shenjtëri, dhe delegacionit që ju shoqëron – tha Papa – mirëseardhjen më të përzemërt”. Ati i Shenjtë përshëndeti të gjithë anëtarët e Kishës Apostolike Armene, duke bekuar lidhjet ndërmjet saj dhe Kishës së Romës, duke kujtuar udhëtimin e shën Gjon Palit II në Armeni, në vitin 2001, atë të Benediktit XVI në vitin 2008 dhe praninë e Katolikosit në meshën e fillimit të papnisë së Horhe Mario Bergolios në Romë, vitin e kaluar.
Sidomos, Papa Françesku përmendi praninë e Katolikosit të Armenëve në Përkujtimin e Dëshmitarëve të fesë së shekullit XX, në kuadrin e Jubileut të vitit 2000. “Numri i dishepujve, që derdhën gjakun për Krishtin në ngjarjet tragjike të shekullit të kaluar – nënvizoi Ati i Shenjtë – është sigurisht më i madh se ai i martirëve të shekujve të parë e në këtë martirizim, bijtë e kombit armen kanë një vend nderi. Misteri i kryqit… kaq i dashur për kujtesën e popullit tuaj, përfaqësuar nga kryqet e mrekullueshme të gurta, që zbukurojnë çdo kënd të tokës suaj, është përjetuar nga shumë prej bijve tuaj si pjesëmarrje e drejtpërdrejtë në Mundimet e Krishtit. Dëshmia e tyre, njëkohësisht tragjike dhe sublime, nuk duhet harruar kurrë”:
“Vuajtjet e të krishterëve kanë sjellë një kontribut të çmuar në çështjen e bashkimit të dishepujve të Krishtit. Ashtu si në Kishën e lashtë, gjaku i martirëve u bë farë e të krishterëve të rinj, ashtu edhe në ditët tona, gjaku i shumë të krishterëve është bërë farë bashkimi. Ekumenizmi i vuajtjes, ekumenizmi i martirizimit, ekumenizmi i gjakut, është thirrje e fuqishme për të ecur në udhën e pajtimit ndërmjet Kishave, duke e lënë me besim veten në dorë të Shpirtit Shenjt”.
Është borxhi që kemi para vuajtjes së vëllezërve tanë, theksoi Papa Françesku. Ati i Shenjtë e falenderoi Katolikosin e Armenëve për kontributin që jep në Komisionin e përbashkët për Dialogun Teologjik ndërmjet Kishës Katolike dhe Kishave Ortodokse Lindore dhe kërkoi:
“Të lutemi për njëri-tjetrin: Shpirti i Shenjtë na ndriçoftë e na udhëheqtë drejt ditës kaq të dëshiruar, në të cilën të mund të ndajmë së bashku mensën eukaristike”.







All the contents on this site are copyrighted ©.