2014-05-08 14:43:36

Lutja e Pompeit. Kardinali Parolin: t’ia besojmë Zojës të gjitha shqetësimet e nevojat


T’ia besojmë Zojës të gjitha shqetësime e nevojat. Në Meshën e kremtuar sot paradite, në tremen e Bazilikës së Pompeit, në ditën që Kisha ia kushton Lutjes së Zojës në këtë shenjtërore italiane, themeluar nga i Lumi Bartolo Longo, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin kujtoi historinë e Rruzares tradicionale të shën Marisë së Pompeit.RealAudioMP3
“Qyteti i Marisë”, siç e quajti kardinali, në fund të viteve ‘800, kur Bartolo Longo filloi të thotë Rruzaren e ta përhapë atë ndër banorët e zonës, ishte krejtësisht i varfër e i braktisur. Njerëzit shfrytëzoheshin e nuk kishin dinjitet, gjendje e ngjashme me krizën e sotme, që shkakton papunësi, sidomos ndërmjet të rinjve, duke i penguar ta shohin të ardhmen me qetësi e besim. Duke bërë thirrje për solidaritet e i frymëzuar nga liturgjia e sotme, kushtuar Kishës së viteve të para, prelati u ndal në mandatin e të krishterëve për të dëshmuar fenë, për ta vënë në praktikë përmes dashurisë për të afërmin e për të qenë drita e botës:
“Të mendojmë për mijëra të krishterët që, edhe sot, në shekullin XXI, vuajnë për shkak të fesë, persekutohen, u mohohen të drejtat. Të lutemi për ta e, sidomos, të veprojmë si ata – do të thoshte Papa Françesku – pa rënë në kompromis me frymën e botës, por duke e jetuar dhe dëshmuar plotësisht fenë tonë”.
Të fortë në fe, të vendosur në dashurinë për vëllezërit, mund të jemi vërtet dritë e botës, si Jezusi, tha më tej kardinali Parolin:
“T’i ndihmojmë njerëzit e këtyre kohëve tona të vështira të besojnë në Jezusin e në Atë që e ka dërguar; t’i japim shpresë njerëzimit, sepse Krishti nuk erdhi për të na dënuar, por për të na shëlbuar: nuk mund të jetë tjetër, veçse ky, impenjimi ynë si të krishterë të matur e guximtarë”.
Së fundi, lutja për Zojën e Bekuar:
“T’ia besojmë Marisë, Mbretëreshë e Qiellit dhe e Tokës, por sidomos Nëna jonë e ëmbël, “më e dhembshura e të gjitha nënave”, shqetësimet dhe nevojat tona”.








All the contents on this site are copyrighted ©.