2014-05-08 09:51:31

In memoriam: Mons. Damjan KURTI (1937-2014)


Kaloi në amshim, në Durrës, meshtari ynë i dashur Mons. Damjan KURTI. Jetëshkrimi i tij është me shumë batica dhe zbatica, jeta e tij me shërbime dhe përkushtime, fe dhe dashuri për Zotin, Kishën dhe Popullin.RealAudioMP3
Ai lindi në Binçë më 21 shtator 1937. Pas katër klasëve, në moshën 12 vjeçare ndërmori rrugën e “mërgimit”, atë të thirrjes meshtarake, në seminarin e Pazinit të Istries. Pas tetë vjet shkollimi, me sukses kreu maturën, më vonë filozofinë dhe teologjinë në Zagreb. Shugurohet meshtar në Prizren në vitin 1965. Gjatë viteve të para të meshtarisë ishte sekretar i ipeshkvit të atëhershëm, Imzot Smiljan Franjo Çekadës, në Ferizaj. Prej vitit 1968 deri në vitin 1991 ishte famullitar në Velezhë. Aty ndërtoi shtëpinë e famullisë dhe kishën filiale në Selagrazhd. Mbi të gjitha dallohej për kujdesin ndaj thirrjeve meshtarake dhe rregulltare si dhe ndaj pajtimeve. Prej vitit 1991 doli vullnetar për misionar në Shqipëri, së bashku me Imzot Mark Sopin, ku edhe përfundoi shtegtimin tokësor.
Tiparet e tij dalluese ishtin këto: i mirë, i butë, i thjeshtë, i përvuajtur, komunikativ me të gjithë, zemër për të varfër, njeri me këndvështrim dhe botëkuptim të hapur. Për shërbimin në Shqipëri për “refugjatët” nga Kosova, mori Shpërblimin e Qeverisë së Zvicrës, 50.000 CHF, të cilat i përdori për ndërtimin e shtëpive për të pastrehët.
Zoti e shpërbleftë për çdo fjalë, vepër sjellje të mirë dhe flijuese.

Lajmërohen të gjithë besimtarët dhe miqtë se varrimi i të ndjerit do të bëhet më 8 maj 2014, me meshë në ora 12,00 në Kishën e Binçës.

Pushoftë në Paqe!

Zyra Ipeshkvore









All the contents on this site are copyrighted ©.