2014-05-07 14:45:50

Traktat i devocionit të vërtetë për Marinë: “Maria e zgjedhur nga Zoti” par. 14, 15


Pas përfundimit të rrëfimit mbi madhështinë e Marisë, sot, e shtata ditë e majit të Zojës, Shën Luigji Maria Grignion de Monfort, autor i veprës “Traktati i devocionit të vërtetë për Marinë”, që po e shfletojmë së bashku në rrjedhë të muajit, për nder të Zojës së Bekuar, na hap një faqe të re, titulluar “Maria e zgjedhur nga Zoti”. Kush ishte Ajo, që e pritën motet? Ajo, që erdhi në kohën, vënë në shenjë nga qielli? Ajo, që vetë Zoti ia caktoi të Birit për Amë? Na e tregojnë paragafët 14, 15 e 16.RealAudioMP3

14. Rrëfej, me mbarë Kishën, se duke qenë Maria krijesë e thjeshtë, dalë nga duart e të Tejetlartit, e krahasuar me madhërinë e tij të pafundme, është diçka më pak se një atom, ose, më mirë të themi, një hiç, sepse vetëm ai është Ai që është! Si pasojë, ky Zot i madh, gjithnjë i pavarur, që i mjafton vetvetes, nuk pati kurrë, e as nuk ka absolutisht nevojë për Virgjërën e Shenjtë, që të bëjë vullnetin e vet e të shprehë lavdinë e vet. Mjafton të dëshirojë, për të bërë gjithçka!

15. Gjithsesi, duke i parë gjërat ashtu si janë, mund të themi se Hyji deshi t’i nisë e t’i përmbushë veprat e tij të mëdha, përmes Virgjërës së Shenjtë, qëkur e formoi, e është për t’u besuar se ai nuk do të ndërrojë mendim në shekuj të shekujve, sepse Ai është Zot e nuk ndërron as ndjesi, as mënyrë veprimi.
16. Hyji Atë ia dhuroi botës Birin e Tij të vetëm përmes Marisë. Sado psherëtinë patriarkët, sado u përpoqën në lutje profetët e shenjtorët e ligjit të vjetër katër mijë vjet me radhë, për ta fituar këtë thesar, asnjë, veç Marisë, nuk meritoi të gjente hir para syve të Zotit, me forcën e uratëve të saj e me lartësinë e pamatshme të virtyteve të saj. Bota ishte e padenjë, thotë Shën Agostini, ta merrte Birin e Zotit drejtpërdrejt, prej duarve të Atit; ai ia dhuroi Marisë, që bota ta merrte prej saj. Biri i Zotit u bë njeri për shëlbimin tonë, por u bë në Marinë e përmes Marisë. Shpirti Shenjt Hyj e formoi Jezu Krishtin në Marinë, vetëm pasi ia kërkoi miratimin përmes njërit nga kryeministrat e oborrit të tij.







All the contents on this site are copyrighted ©.