“Sot, në Pallatin Apostolik, në shtëpinë e Papës, ndjehet një atmosferë feste”. Kështu
tha sot paradite në Oborrin e Shën Damazit, zëvendësi i Sekretarisë së Shtetit, imzot
Xhovani Anxhelo Beçiu, para se të betoheshin 30 roje të reja zvicerane.Si çdo vit, ceremonia
u zhvillua në ditën kur kujtohet flijimi i 147 ushtarëve të Truprojes, që humbën jetën
më 6 maj 1527, gjatë “plaçkitjes së Romës”, për të mbrojtur Papën Klementi VII nga
lancikenekët, mercenarë spanjollë. E si përherë, kumbimi i borive, oshëtima e daulleve,
notat e muzikës e të himneve, zërat e rojeve që betoheshin, shoqëruan këtë takim tradicional,
gjatë të cilit komandati i Rojeve Zvicerane, Daniel Anrig, kujtoi se flijimi i ushtarëve,
487 vjet më parë, mishëron edhe sot frymën e shërbimit e të besnikërisë për Atin e
Shenjtë: “Ju betoheni t’i shërbeni Papës së Romës me besnikëri, duke përdorur
të gjitha forcat për të, edhe me rrezik jete… Nuk janë paratë, nuk është argëtimi
e konsumizmi, që e pasurojnë jetën, por përkushtimi, sakrifica”. Zëvendësi
i Sekretarisë së Shtetit, imzot Beçiu, i këshilloi rojet të lusin shenjtorët e rinj,
Gjon Palin II dhe Gjonin XXIII. Kërkojuni t’ju ndihmojnë ta kryeni sa më mirë detyrën,
u tha. E kjo detyrë, nënvizoi edhe kapelani Markus Hajnc, duhet të frymëzohet nga
vlera të patjetërsueshme: “Të dashura roje, faqja e dytë e medaljes së shërbimit
tuaj, përveç guximit, është besnikëria: të jeni gati të impenjoheni me gjithë vetveten,
jo vetëm në rastin më ekstrem, por edhe në ngjarjet e përditshme të shërbimit e të
jetës së Truprojes. Impenjimi juaj, jo në dritat e skenës publike, nuk është më pak
heroik e nuk kërkon më pak forca. Është besnik dhe i fortë ai, që di t’u rezistojë
vështirësive dhe tundimeve, që vazhdon të bëjë mirë e të kapërcejë vështirësitë”. Solemn,
çasti i betimit të 30 rekrutëve, thirrur me emër, një për një, me dorën e majtë mbi
flamurin e Rojeve Zvicerane dhe me të djathtën e ngritur lart, me tre gishtat e hapura,
simbol i Trinisë së Shenjtë. Sot pasdite, mesha e falenderimit, kremtuar nga Sekretari
i Shtetit, kardinali Pietro Parolin, në Bazilikën e Shën Pjetrit dhe koncerti i orkestrës
frymore të të rinjve të kantonit Shvic, në Sallën Pali VI.