2014-05-06 14:32:24

Ukrainë: lutje e meshë për paqen e për viktimat, në gjithë vendin


Menjëherë pas thirrjes së Papës Françesku për paqen dhe vëllazërimin në Ukrainë, vendi u shtrëngua këto ditë rreth Kishës për t’u lutur pa pushim për paqen. Ipeshkvi katolik i Odesës, imzot Bronislav Biernacki, kremtoi dje pasdite, në katedralen katolike, një meshë, gjatë së cilës i bëri thirrje popullsisë të ruajë qetësinë e të mos bjerë pre e provokimeve. Forcave politike vendore, ipeshkvi u kërkoi t’i shtojnë përpjekjet për t’i dhënë Ukrainës paqen e për të ndalur shkallëzimin e dhunës, ndërsa bashkësisë ndërkombëtare, të bëjë presion më të madh politik dhe ekonomik mbi ata, që mbështesin dhunën, paguajnë provokatorët dhe i furnizojnë me armë.
E njëjta thirrje vjen edhe nga ipeshkvi i Kishës greko-katolike të Odesës, imzot Mikhaylo Bobniy, i cili e sheh me dhimbje e shqetësim situatën, duke iu lutur të gjitha palëve në konflikt të ndalin gjakderdhjen. Të dielën, në të gjitha famullitë e Odesës e të Krimesë, besimtarët u lutën për viktimat e ngjarjeve tragjike të së premtes së kaluar.
Edhe në Lviv, të gjitha Kishat e krishtera morën pjesë në një lutje ekumenike për paqen në Ukrainë, ndërsa në Kanada, në një intervistë për një gazetë vendase, kreu i Kishës greko-katolike ukrainase, Sviatoslav Shevchuk, i fton qytetarët të marrin pjesë në debatin për zgjedhjet presidenciale të 25 majit e të zgjedhin njeriun, që mund ta bashkojë vendin.







All the contents on this site are copyrighted ©.