2014-05-06 12:21:39

Papa Françesku: Kisha nuk është universitet feje


Të krishterët, që nuk e dëshmojnë fenë e tyre, bëhen shterpë. Kështu tha sot Papa Françesku në meshën e mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës. Gjatë homelisë, Ati i Shenjtë u ndal në martirizimin e Shën Shtjefnit, treguar në Veprat e Apostujve. Ky martirizim, theksoi, është i njëjtë me atë të Jezusit.RealAudioMP3
Papa përshkoi udhën, që e çoi drejt vdekjes, martirin e parë të Kishës. Edhe ai, ashtu si Jezusi, u ndesh me xhelozinë e “drejtorëve”, që donin ta eliminonin. Edhe për të u gjetën dëshmitarë të rremë e u vu në skenë një proces gjyqësor, i organizuar shpejt e shpejt. Këta njerëz tërboheshin kur e dëgjonin Shtjefnin të fliste për Shpirtin Shenjt. Kishin urrejtje në zemër, urrejtjen e djallit kundër Krishtit. Në martirizimin e Shtjefnit shihet qartë lufta e Zotit me djallin. Por, vërejti Papa, siç u thoshte Jezusi të vetëve, persekutimi, martirizimi, humbja e jetës për Krishtin, është një nga lumnitë. E Shtjefni vdes si Jezusi, duke i falur persekutuesit e vet:
“’Martirizim’ është përkthimi i fjalës greke, që do të thotë edhe dëshmi. E kështu, mund të themi se për të krishterin, udha ndjek gjurmët e kësaj dëshmie, ndjek gjurmët e Jezusit për ta dëshmuar Atë e, shpesh, kjo dëshmi përfundon me dhënien e jetës. Nuk mund të kuptohet i krishteri, pa qenë dëshmitar, pa dhënë dëshmi. Ne nuk jemi ndonjë ‘fe’ idesh, teologjie të pastër, gjërash të bukura, urdhërimesh. Jo, ne jemi një popull, që ndjek Jezu Krishtin e jep dëshmi – dëshiron ta dëshmojë Jezu Krishtin – e kjo dëshmi, nganjëherë, arrin në ofertën e jetës”.
Pasi u vra Shtjefni, lexohet në Veprat e Apostujve, shpërtheu një persekutim i fuqishëm kundër Kishës së Jeruzalemit. Persekutuesit, të nxitur nga Qoftëlargti, ndjeheshin të pamposhtur dhe i detyruan të krishterët të shpërndaheshin në rajonin e Judesë e të Samarisë. Por, aty ku mbërrinin, sado larg, shpjegonin Ungjillin, dëshmonin Krishtin e kështu, filloi misioni i Kishës. Shumë ktheheshin në fenë e krishterë, kur i dëgjonin. Jo më kot, Tertuliani, një nga etërit e Kishës, pati thënë: “Gjaku i martirëve është fara e të krishterëve”. Nuk ka predikim më të frytshëm se ky, shtoi Papa, e çdo shqiptar e di se historia e ardheut të vet e dëshmon katërcipërisht:
“Dëshmia, si në jetën e përditshme, në vështirësi, ashtu edhe në persekutim, me vdekjen, është gjithnjë e frytshme. Kisha është fekonde e nënë kur dëshmon Jezu Krishtin. Ndërsa, kur Kisha mbyllet në vetvete, beson se është ‘universitet feje’ – të themi kështu – me shumë ide të bukura, me shumë tempuj të bukur, me shumë muze të bukura, por nuk jep dëshmi, bëhet shterpë. Kështu edhe i krishteri. Kur nuk jep dëshmi, bëhet shterpë, nuk është në gjendje të japë jetën e marrë si dhuratë nga Jezu Krishti”.
Shën Shtjefni, vazhdoi Papa Françesku, ishte plot me Shpirtin Shenjt, pasi nuk mund të dëshmojmë pa praninë e Vetjes së tretë të Trinisë brenda nesh. Në çastet e vështira, kur duhet të zgjedhim udhën e drejtë, kur duhet të përballojmë tundimet, këshilloi Papa, t’i lutemi Shpirtit Shenjt. Është Ai, që na bën të fortë për dëshmi:
“E sot, duke menduar për këto dy ikona – Shtjefin, që vdes dhe, njerëzit, të krishterët, që ikin, duke u shpërndarë kudo për shkak të persekutimit të dhunshëm – ta pyesim veten: si dëshmoj unë? A jam i krishterë, dëshmitar i Jezusit, apo jam një numër i thjeshtë në këtë sekt? Jap fryte, sepse jap dëshmi, apo mbetem i shterpët, sepse nuk jam i aftë ta lë Shpirtin Shenjt të më shoqërojë në vokacionin tim të krishterë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.