2014-05-06 15:50:59

KISH: Kisha dje, sot dhe nesër – tema e Asamblesë kombëtare të shtatorit


Filloi sot punimet, në Tiranë, asambleja e përgjithshme e Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë (KISH), e cila mblidhet dy herë në vit, për të shqyrtuar çështjet kishtare me rëndësi kombëtare. Takimi u hap me kremtimin eukaristik, pas të cilit ipeshkvinjtë dëgjuan përshëndetjen e kryetarit të Konferencës, Imzot Angelo Massafra dhe fjalën përshëndetëse të nuncit apostolik, Imzot Ramiro Moliner Ingles.
Akti i parë i seancës së sotme ishte miratimi i procesverbalit të asamblesë së fundit të përgjithshme dhe paraqitja e rendit të ditës.
Punimet e paradites u përqendruan tek përgatitja e Asamblesë Kombëtare Kishtare, që do të mbahet më 25, 26, 27 shtator 2014. Ipeshkvinjtë miratuan temën e asamblesë, që do të jetë: Kisha dje, sot dhe nesër, dhe hartuan programin fillestar me logon e kësaj ngjarjeje.
Programi i pasdites përqendrohet mbi tema të ndryshme me rëndësi për mbarë Kishën në Shqipëri, si përballja me sektet fetare, çështje lidhur me martesën dhe rastet e pavlefshmërisë, me shkak ratum non consummatum, trajtimi i rasteve ku paraqitet privilegium fidei. Në rend të ditës është edhe miratimi dhe botimi i Mesharit Romak, përkthimi i të cilit është rishikuar së fundmi dhe botimi i përmbledhjes së Katekizmit të Kishës Katolike.
Punimet vijojnë tërë ditën e nesërme dhe mbyllen në mbrëmje.








All the contents on this site are copyrighted ©.