2014-05-05 15:02:27

Traktat i devocionit të vërtetë për Marinë: “Madhështia e Marisë” par. 7, 8, 9


Ditën e pestë të majit, kushtuar Zojës së Bekuar, ju ftojmë të meditojmë për lartësinë dhe madhështinë e Marisë, sipas veprës “Traktat i devocionit të vërtetë për Marinë”, shkruar nga Shën Luigji Maria Grignion de Monfort. Jemi në vijim të pjesës së parë, titulluar “Madhështia e Marisë”, në paragrafin 7,8,9, tejet të pasur me simbolikë mariane. Qytet i shenjtë, e quan autori Marinë, burim frymëzimi për zemrat besimtare; dritë e rrezes së amshuar, këngë, për koret e engjëjve e tmerr, për demonët.RealAudioMP3

7. Shenjtorët kanë thënë mrekulli për këtë qytet të shenjtë të Hyjit; ata vetë tregojnë se nuk u ndjenë kurrë më të lum? e më gojëtarë, sesa kur folën për të. Pohojnë, kështu, se fisnikëria e meritave, që ajo vetë i lartoi deri në fronin e Hyjnisë, nuk mund të merret me mend: se pafundësia e dashurisë, që ajo e shtriu përtej kufijve të tokës, nuk mund të llogaritet; se madhështia e pushtetit të saj, që ndikon deri mbi vetë Hyjin, nuk mund të matet; e se, së fundi, thellësia e përvujtërisë së saj dhe e të gjitha virtyteve e hireve të saj, si të ishte hon, nuk mund të hetohet. O lartësi e pakuptueshme! O pafundësi e pashprehshme! O madhështi e pamatshme! O hon i padepërtueshëm!

8. Çdo ditë, nga një skaj i tokës, në tjetrin, prej më të lartit qiell e deri në humnerat e thella, gjithçka predikon, gjithçka shpall pambarimisht mrekullitë e Marisë. Nëntë koret e engjëjve, burra e gra, të çdo moshe, shtrese, feje, të mirë e të këqij, e deri demonët, detyrohen ta shpallin të lume, deshën s’deshën, të detyruar nga vetë e vërteta. Mbarë aradhet e engjëjve të qiellit, thotë Shën Bonaventura, shpallin pa pushim: “e Shenjtë, e Shenjtë, e Shenjtë është Maria, Virgjër e Nënë e Hyjit”. E miliona e miliona herë në ditë, i drejtojnë përshëndetjen engjëllore; “Të falemi Mari…”, e i përkulen para, duke i kërkuar, si hir, t’i nderojë me një urdhër dalë nga goja e saj. Deri Shën Mëhilli, thotë Shën Agostini, ndonëse prijës i të gjitha aradheve qiellore, është më i zellshmi për t’i bërë ai, e edhe të tjerët, të gjitha nderimet e mundshme, përherë në pritje për të pasur nderin të shkojë, sipas urdhërit të Marisë, në shërbim të ndonjërit nga shërbëtorët e saj.

9. Toka mbarë është plot me lavdinë e Zojës; e lavdiplote është posaçërisht ndër të krishterë, ku u zgjodh pajtore e dalazotëse mbretërísh, provincash, dioqezash, qytetesh. Një mori katedralesh i kushtohen Zotit, në emër të saj. Nuk ka kishë, pa një altar në nder të saj; nuk ka rrugë a lagje, që të mos ketë një fugure mrekullibërëse të asaj, që largon çdo të ligë e mbart çdo mirësi. Sa sivëllazëri e shoqata, në nder të Marisë! Sa rregulltarë e rregulltare të kongregatave të ndryshme shpallin lavdinë e saj e flasin për mëshirën e saj! Nuk ka fëmijë, që të mos e lavdërojë, sapo nis të bëlbëzojë Falemimërinë; s’ka mëkatar që, me gjithë kokëfortësinë e tij, nuk e ka në zemër një shkëndijë besimi në të; e s’ka demon të fundit të ferrit, që të mos e respektojë, duke u dridhur nga frika.








All the contents on this site are copyrighted ©.