Papa Rojeve Zvicerane: të jeni të fortë në fe, bujarë në mirësi, të njerëzishëm në
pritje
Të jeni të fortë në fe e bujarë në mirësi ndaj njerëzve që takoni”: me këto fjalë
iu drejtua Papa Rojeve Zvicerane që, të shoqëruara nga komandanti Daniel Anrig, u
pritën sot, së bashku me familjarët dhe miqtë, në Sallën Klementine. Takimi u mbajt
në prag të Festës së Rojeve Papnore, që do të kremtohet nesër, për kujtim të qëndrimit
heroik gjatë plaçkitjes së Romës, më 6 maj 1547, në përpjekjen për të mbrojtur Klementin
VII nga sulmi i Lancikenekëve.
“Ditë e jashtëzakshme”,
kujtoi Papa Françesku, që përkujton aktin heroik të pararendësve të Rojeve Zvicerane,
Armë e themeluar më 1506, nën papninë e Julit II: “Përkushtimi juaj
vërteton se guximi e besnikëria e tyre sollën fryte, siç thotë Ungjilli: fara e hedhur
dhe e kallur në tokë, u rrit”. Por rrethanat e jetës shoqërore e kishtare,
vërejti në vijim Papa, ndryshuan shumë që asokohe: shoqëria nuk është më ajo që ishte,
kur Roma pësonte një mori sulmesh. Nuk është më shoqëria… “…po zemra
e njeriut, aftësia e tij për të qenë besnik e guximtar, ‘acriter et fideliter’ , siç
thotë motoja juaj – mbetet e njëjtë”. Shërbimi juaj, shtoi Papa Françesku,
është dëshmi e vërtetë e përkushtimit për ta kryer sa më mirë një detyrë sa të rëndësishme,
aq edhe impenjative, në një kohë e një hapësirë krejt të veçantë e në një qytet muze,
siç është Roma, udhëkryq turistësh e shtegtarësh nga mbarë bota, që arrijnë për arsye
nga më të ndryshmet: “Në këtë gjeratore historie e historish personale,
përfshihet edhe secili nga ju. Me shërbimin tuaj të kujdesshëm, ju jeni të thirrur
t’u jepni një dëshmi të qetë e gazmore kristiane të gjithë atyre, që vijnë në Vatikan
për të vizituar Bazilikën e Shën Pjetrit e për t’u takuar me Papën”. Prej
këndej, ftesa: “Jetojini me fund ditët tuaja! Jini të fortë në fenë tuaj
e bujarë në mirësi ndaj njerëzve që takoni!”. Më pas Papa vërejti se uniforma
e Rojeve Zvicerane, që tërheq aq shumë vëmendjen e njerëzve, në formën e sotme, pas
sa e sa ndryshimesh gjatë vitesh, sivjet kremton njëqindvjetorin. Ngjyrat dhe trajtat
e kësaj divize, që njihen në mbarë botën, të kujtojnë përkushtimin, seriozitetin,
sigurinë. Flasin vetë për një shërbim të veçantë e një të kaluar të lavdishme: “Veç
mos harroni se jo uniforma, po ai që e mban, duhet t’i prekë të tjerët me mirësjelljen,
me frymën e mikpritjes, me mirësinë ndaj të gjithëve”. Mirësi edhe ndërmjet
jush, i porositi Papa Rojet, duke i kushtuar vëmendje edhe jetës suaj në bashkësi
e duke ndarë së bashku çastet e gëzueshme e edhe ato të trishtuara… “...
pa e harruar atë që, ndërmjet jush, kalon çaste të vështira e ka nevojë për një buzëqeshje,
një gjest inkurajimi e miqësie, duke e shmangur distancën negative, që i ndan shokët
e që, në jetën e të gjithë njerëzve të botës, mund të krijojë përbuzje, përjashtim
ose racizëm”. Në përfundim, Papa i falënderoi thellësisht Rojet për shërbimin
e tyre: “Të dashura Roje Zvicerane, çdo ditë mund ta provoj nga afër
përkushtimin tuaj e impenjimin tuaj: për këtë, ju jam shumë mirënjohës”.