2014-05-05 15:03:32

Imzot Tomazi: Selia e Shenjtë impenjohet të luftojë kundër torturës, në mbrojtje të të drejtave të njeriut


Selia e Shenjtë impenjohet të luftojë kundër torturës, me synim kryesor mbrojtjen e të drejtave të padhunueshme të njeriut. Këtë theksoi sot imzot Silvano Maria Tomazi, i cili foli para Komitetit të OKB-së për Konventën kundër torturës, në Gjenevë. Vatikani e konsideron Konventën, mjet të vlefshëm për të luftuar kundër akteve, që e fyejnë rëndë dinjitetin e njeriut, prandaj është bërë anëtar i saj në vitin 2002. Por imzot Tomazi vuri në dukje se rrezja e veprimit të saj nuk duhet interpretuar keq. Vëzhguesi i Selisë së Shenjtë në OKB-në e Gjenevës shpjegoi se Konventa është nënshkruar nga Shteti i Vatikanit, i cili përgjigjet vetëm për territorin e vet e nuk ka jurisdiksion kudo ku ka të krishterë, të cilët përgjigjen para autoriteteve ligjore të vendit ku jetojnë.
Selia e Shenjtë jo vetëm siguron respektimin e ligjit të saj në këtë fushë, brenda territorit të vet, por ngul këmbë që autoritetet shtetërore kompetente të çdo vendi të veprojnë sipas ligjit përsa u përket krimeve dhe abuzimeve të kryera edhe nga të krishterë. Çdo individ, theksoi imzot Tomazi, pavarësisht nga përkatësia e tij në një institucion katolik, është subjekt i autoritetit të veçantë të shtetit.
Selia e Shenjtë, shtoi prelati, uron që zbatimi i Konventës të mbetet në kuadrin e temave, që trajton, pasi shqyrtimi i temave të tjera, që s’kanë të bëjnë me të, e ndryshon objektivin e vetë Konventës dhe vënë në rrezik ata, që janë abuzuar e torturuar. Në notën e tij, para dy ditësh, drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi, sqaroi:
“…gjatë dialogut me shtetet anëtare, ndodh shpesh që Komitetet të bëjnë pyetje për çështje, të cilat nuk lidhen me tekstin e Konventës drejtpërdrejt, por tërthorazi ose mbi bazën e interpretimeve tepër të shtrira të saj. Kjo, për shembull, ndodhi në janarin e kaluar me rastin e dialogut me Komitetin për Konventën mbi të drejtat e fëmijës. Në këtë drejtim, ndikon shpesh presioni që ushtrojnë mbi Komitetet dhe mbi opioninin publik, organizatat jo qeveritare, me synime të forta ideologjike për të përfshirë edhe në diskutimin mbi torturën, çështjen e shpërdorimeve seksuale mbi të miturit, gjë që ka të bëjë me Konventën mbi të drejtat e fëmijës. Qëllimin e kësaj prirjeje për t’u përdorur si mjet në shtrembërimin e punëve, me synime të dyta, e vëren qartë kushdo, që i shikon punët pa paragjykime...”.
Sot, kryeipeshkvi Tomazi nuk la pa përmendur qëndrimet e Kishës Katolike kundër torturës, sidomos përmes magjisterit të papëve pas Luftës II Botërore. Selia e Shenjtë, përfundoi ai para Komitetit të OKB-së, ka promovuar e do të vazhdojë të promovojë në nivel global, ato vlera dhe ato të drejta të njeriut, që janë të nevojshme për marrëdhëniet miqësore ndërmjet popujve dhe për paqen në botë. Vetë imzot Silvano Maria Tomazin e morëm në telefon për të na thënë diçka më shumë për takimin e sotëm: RealAudioMP3
Takimi i paradites së sotme ishte shumë i hapur dhe mjaft i qetë. Tani, po përgatisim përgjigjet për nesër pasdite, në mënyrë që të sqarojmë, nga pikpamja juridike, përgjegjësitë e Selisë së Shenjtë, si në zbatimin e Konventës kundër Torturës, ashtu edhe përsa u përket krimeve kundër të miturve nga ana e personave të Kishës.
Në fjalën tuaj të sotme, ju nënvizuat sa shumë është impenjuar Selia e Shenjtë kundër torturës…
Unë vura në dukje se para së gjithash nuk duhet të fosilizohemi, duke mbetur në të kaluarën, por duhet të kemi parasysh masat e marra gjatë dhjetë vjetëve të fundit - si nga ana e Selisë së Shenjtë, ashtu edhe nga Konferencat Ipeshkvnore - për të parandaluar shpërdorimet me të miturit e për të ndihmuar viktimat. Së dyti, thashë edhe se duhet të kemi parasysh një dallim juridik të rëndësishëm: përgjegjësinë e Selisë së Shenjtë ndaj Qytet-Shtetit të Vatikanit, për të cilin e ka nënshkruar këtë Konventë kundër Torturës dhe rolin moral të Selisë së Shenjtë për të gjithë ata, që i thonë vetes katolikë. Janë dy gjëra të ndryshme: jurisdiksioni ligjor dhe përgjegjësia morale. Së treti, ne do t’i përballojmë problemet sa më mirë të mundim, që të krijojmë një dialog konstruktiv e jo një konfrontim, bazuar mbi disa pohime, të cilat, nganjëherë, ojq-të i paraqesin në formë shumë polemike, për t’u përdorur pastaj si informacione të sakta, edhe kur nuk janë të tilla…
Edhe ju vetë, në fjalën që mbajtët sot, paralajmëroni rrezikun se mund të zgjerohet tepër zona e kompetencës së Konventës…
Selia e Shenjtë, ashtu si çdo shtet tjetër, që e ka ratifikuar Konventën, e ka për detyrë të ndjekë tekstin e Konventës së ratifikuar. Interpretimet janë interpretime ekspertësh, që sigurisht, nuk janë njëlloj të detyrueshme e, nganjëherë, madje kundërshtohen nga ekspertë të tjerë. Prandaj, duhet t’i marrim me kujdes e maturi këto interpretime, por sidomos, të shmangim rrezikun që burokracia, pavarësisht nga vullneti i saj i mirë, të zëvendësojë procesin demokratik e vendimmarrës të shteteve.








All the contents on this site are copyrighted ©.