2014-05-04 13:47:10

Traktat i devocionit të vërtetë për Marinë: “Madhështia e Marisë” par. 4,5,6


Vijojmë shfletimin e librit “Traktat i devocionit të vërtetë për Marinë”, shkruar nga Shën Luigji Maria Grignion de Monfort. Sot do të ndalemi tek paragrafi i katërt, i pestë e i gjashtë i pjesës së parë, titulluar “Madhështia e Marisë”:


4. Hyji Atë deshi që Ajo të mos bënte asnjë mrekulli gjatë jetës, së paku, asnjë mrekulli të dukshme, ndonëse ia kishte dhënë pushtetin. Biri i hyjnueshëm e lejoi që gati-gati të mos fliste fare, ndonëse ia kishte përcjellë urtinë e tij. Shpirti Shenjt i hyjnueshëm, ndonëse ishte Vasha e tij besnike, deshi që Apostujt e Ungjlltarët të flisnin për të fare pak, aq sa ishte tepër e nevojshme për njohjen e Jezu Krishtit.

5. Maria është kryevepra tejet e lartë e Të Tejetlartit, që e njeh vetëm ai, e vetëm Atij i përket. Maria është Nëna e Birit, që ai deshi ta mbajë në përvujtëri e fshehtësi gjatë gjithë jetës së saj; për ta ndihmuar në këtë përvuajtëri, ai e thërret grua, si të ishte ndonjë e huaj, ndonëse brenda vetes e nderonte dhe e donte më shumë se të gjithë engjëjt e se të gjitha krijesat njerëzore. Maria është burimi i vulosur e Nusja besnike e Shpirtit Shenjt, ku hyn vetëm ai. Maria është shenjtërorja e prehja e Trinisë Shenjte, ku Hyji është i pranishëm më madhërisht e më hyjnisht, se në çdo vend tjetër të universit, duke përfshirë edhe praninë e tij ndërmjet kerubinëve e serafinëve; në të, pa një privilegj të madh, nuk lejohet të hyjë asnjë krijesë, qoftë edhe më e papërlyera.

6. Unë pohoj, njëherësh me shenjtorët: Maria Hyjnore është parajsa tokësore e Adamit të ri, ku ky u mishërua për virtyt të Shpirtit Shenjt, për të kryer mrekulli të papërfytyrueshme. Është bota e madhe hyjnore e Zotit, ku ai ruan bukuri e thesare të parrëfyeshme; është shkëlqimi i mrekullueshëm i të Tejetlartit. Në gjirin e saj fshihet Biri i Tij i vetëm, e në të, gjithçka që ai ka më të madhe e më të çmuar. Ajo vetë detyrohet ta shpallë, edhe pse pambarimisht e përvujtë: “Punë të mëdha kreu në mua, i Gjithëpushtetshmi”. Bota nuk i njeh, sepse nuk është e aftë, e as e denjë!









All the contents on this site are copyrighted ©.