2014-05-04 13:46:37

Shenjtorët e javës 5 – 11 maj


Më 5 maj përkujtohjet Shën Maksimi, ipeshkëv i Jeruzalemit. U dënua me punë të detyruar nën perandorin Maksimin, i nxorën njërin sy dhe e torturuan me djegje, me hekur të skuqur, por nuk e mohoi fenë. Pas përfundimit të dënimit, u kthye në selinë ipeshkvore të Jeruzalemit, ku, i rrethuar me nderime për dëshminë e fesë, që kishte treguar, ndërroi jetë rreth vitit 350.
Më 6 maj përkujtohen shën Mariani, lektor, dhe shën Jakobi, diakon. Shën Mariani u kishte shpëtuar torturave, për shkak të fesë, nën përndjekjen e perandorit Decius. U arrestua sërish bashkë me Jakobin dhe të dy, pas torturave gjakatare, i vranë me shpatë.
Më 7 maj përkujtohet e lumja Gisela, bija e Henrikut II të Bavarisë dhe e Giselës së Burgonjës. Rreth vitit 997 u martua me Stefanini, mbretin e parë të Hungarisë. Qe bashkëpunëtorja e parë dhe më e rëndësishme e të shoqit për kthimin e Hungarisë në katolicizëm. Më 1031 i vdiq i biri dhe më 1038 edhe i shoqi. Pasardhësi i mbretit ia mori të gjitha pasuritë, prandaj u detyrua ta braktiste Hungarinë e të kthehej në Bavari, në manastirin benediktin të Niedenburgut, pranë Pasaut, ku u bë abateshë. Vdiq rreth vitit 1060 dhe u varros në manastirin e vet.
Më 8 maj përkujtohet Zoja Rruzare. Devocioni i Virgjërës së Rruzares nisi në shekullin XIII, kur u themelua urdhri i domenikanëve. Lutjen e përhapën shumë nxënësit e Shën Domenikut, por ky ushtrim i përshpirtshëm pori hov të ri në gjysmën e dytë të shekullit XV, kur Papa Piu V ia la Virgjërës së Rruzares meritën për fitoren e flotës së krishterë kundër turqve, në Lepanto. Hovin e tretë dhe përfundimtar ia dha lutjes së rruzares i lumi Bartolo Longo, kur vendosi të ndërtonte kishën për nder të Rruzares në Pompei.
Më 9 maj përkujtohet Shën Stefan Grelewski, meshtar i dioqezës së Radomit (Poloni), viktimë e nazistëve në kampin e përqendrimit të Dachaut. Papa Gjon Pali II e lartoi në nderimet e altarit, më 13 qershor 1999, me 107 viktima të tjera të përndjekjes për shkak të fesë.
Më 10 maj përkujtohet shën Gjoni i Avilës, i cili jetoi në shekullin XVI. Njeri i Hyjit, ndërthuri me urti lutjen e vazhdueshme me punën apostullore. Iu kushtua predikimit dhe i dha rëndësi të madhe kremtimit të sakramenteve. Punoi me zell për përgatitjen e kandidatëve për meshtari, si edhe për formimin e rregulltarëve dhe të laikëve. Bashkëpunoi me shenjtërit e tjerë spanjollë të kohës së vet, si Injaci i Lojolës, Françesk Borxha, Pjetri i Alkantrës dhe Tereza e Avilës.
Më 11 maj është e diel, festa e Zotit, e diela e katërt e Pashkëve.








All the contents on this site are copyrighted ©.