2014-05-04 16:36:17

Françesku në kishën e Shën Stanislaut: polakët e dinë se për të hyrë në lumni, duhet kaluar nëpër udhën e Kryqit


A jemi edhe ne të gatshëm për të ecur në rrugën e mundimeve e të Kryqit? Këtë pyetje i drejtoi Papa bashkësisë katolike polake të Romës, që u mblodh sot paradite në kishën e Shën Stanislaut, në rrugën romake Botteghe Oscure. Françesku ishte aty për të kryesuar, ndërmjet bashkatdhetarëve të Papës polak, një Meshë falënderimi për shenjtërimin e Tij.Kështu bashkësia e vogël, por plot zell e gjallëri, e polakëve të Romës, pati fatin, sot, të priste për vizitë Papën Françesku. I dukshëm, emocioni, në fytyrat e të pranishmëve në Meshë. E tejet e freskët, atmosfera e shenjtërimit të Gjon Palit II, vetëm një javë më parë. Papa Françesku kujtoi se pikërisht Gjon Pali II e vizitoi 80 herë këtë kishë, në qendër të Romës. E vizitoi gjithnjë në çaste të ndryshme të jetës së tij e të jetës së Polonisë së tij, tha Ati i Shenjtë. E shtoi: “Pjetri është pika e fuqishme e referimit për këtë bashkësi, sepse u themelua mbi Shkëmbin, që është Krishti”. Kështu ishte Gjon Pali II, gur i vërtetë i kapur për Shkëmbin vigan. Ai nuk e humbiste kurrë shpresën, sepse feja dhe shpresa e tij ishin ngulur në Zotin:
“Ju, vëllezër e motra, jeni pjesë e një populli, që u vu shpesh herë në provë gjatë historisë së tij. Populli polak e di mirë se për të hyrë në lumni, duhet kaluar përmes mundimeve e Kryqit. E këtë e di jo sepse e ka studiuar; e di, sepse e ka jetuar! Shën Gjon Pali II, si bir i denjë i atdheut të vet tokësor, e ndoqi këtë rrugë. E ndoqi në mënyrë shembullore, duke marrë dhuratë nga Zoti zhveshjen e plotë nga gjithçka nuk i përkiste Atij të Lumit. Prandaj trupi i tij pushon në shpresë. E ne? A jemi gati ta ndjekim këtë rrugë? Ju, të dashur vëllezër, që formoni sot bashkësinë e krishterë të polakëve në Romë, dëshironi ta ndiqni këtë rrugë?”.
Papa kujtoi se jemi udhëtarë, por jo endacakë. Eh, jemi për rrugë! Po a e dimë ku po shkojmë? Endacakët enden andej e këndej, pa cak! Ne jemi njerëz për rrugë, por jo njerëz rrugësh - siç thoshte Gjon Pali II:
Edhe ne mund të bëhemi ‘shtegtarë të ringjallur’, nëse Fjala e Tij na e ngroh zemrën e Eukaristia e Tij na i hap sytë e fesë e na ushqen me shpresë e me dashuri të krishterë. Edhe ne mund të ecim pranë e pranë vëllezërve e motrave, që janë të trishtuar e të dëshpëruar, e t’ua ngrohim zemrat me Ungjillin, e të thyejmë me ta bukën e vëllazërimit”.Bashkësia polake i dhuroi Papës një figure të Krishtit të Mëshirshëm, në sa përfundonte takimi i gëzueshëm në kishën e Shën Stanislaut. Kushtuar Pajtorit të Polonisë, kjo është kisha kombëtare e polakëve në Romë që në vitin e largët 1580, status që u ripohua më pas, edhe në vitin 1982. Në rrjedhë vitesh u bë pikë mbështetjeje për të gjithë polakët, që shtegtojnë drejt Italisë e Romës, sidomos për emigrantët. E pikërisht para se të largohej nga kisha, Papa e kujtoi këtë, duke i falënderuar besimtarët për pjesëmarrjen e duke iu drejtuar, në mënyrë të posaçme një grupi të pastrehësh, edhe ata të pranishëm në kremtim, rreth Françeskut.







All the contents on this site are copyrighted ©.