2014-05-04 13:47:35

E diela III e Pashkëve


Leximi i parë (Vep 2,14a.22-33)

Atëherë Pjetri bashkë me të Njëmbëdhjetët u çua në këmbë, e ngriti zërin dhe tha: Burra të Izraelit, dëgjojini këto fjalë: Jezusin Nazarenas ‑ njeri që Hyji e përforcoi para jush me vepra të madhërueshme, me mrekulli dhe me shenja, që siç e dini ‑ me anë të tij i bëri ndër ju; këtë, të tradhtuar sipas vullnetit të caktuar dhe parapamjes së Hyjit ‑ ju e kryqëzuat dhe e vratë me duar të të pafeve. Por Hyji e ngjalli duke e shpëtuar nga tmerri i vdekjes, sepse s’ishte e mundur që vdekja ta mbante nën sundimin e vet. E njëmend, për të Davidi thotë: ‘Zotërinë e kam gjithmonë para sysh, sepse Ai më rri në anë të djathtë që të mos rrëzohem. Prandaj galdon zemra ime dhe brohorit gjuha ime, po dhe trupi im do të pushojë me shpresë, sepse Ti nuk do ta lësh shpirtin tim në Nëntokë as s’do të lejosh që Shenjti yt të kalbet. Ti ma tregove udhën që shpie në jetë:në praninë tënde do të më mbushësh me gëzime.’
Vëllezër, më lejoni t’jua them haptas: Davidi patriark vdiq, u varros dhe varri i tij është edhe sot e kësaj dite ndër ne. Por ai, pasi ishte profet dhe pasi e dinte se Hyji, iu përbetua me betimin se një nga pasardhësit e tij do të hipte në fronin e tij, që më parë e parapa dhe paralajmëroi ngjalljen e Krishtit, kur tha: ‘Nuk qe lënë në Nëntokë as trupi i tij nuk e provoi kalbëzimin.’ Po këtë Jezus Hyji e ngjalli! Të gjithë ne e dëshmojmë këtë gjë! E djathta e Hyjit, pra, e lartësoi, prej Atit e mori Premtimin ‑ Shpirtin Shenjt dhe e ndikoi ashtu siç po shihni e po dëgjoni [edhe] ju vetë.

Nga Psalmi 15

Na e trego, o Zot, udhën e jetës

Më ruaj, o Hyj, sepse të kam rënë ndore!
I thashë Zotit: “Ti je Zoti im,
tjetër të mirë nuk kam veç teje”!
Zoti është pjesa e trashëgimit tim dhe gota,

në dorën tënde është fati im!

E bekoj Zotin që më dha kuptim,
edhe natën veshkat e mia më mësojnë.
Zotin e kam gjithmonë para sysh,
më rri në të djathtë, nuk kam sesi të rrëzohem!
Prandaj galdon zemra ime, gëzon shpirti im,
mbarë trupi im pushon në qetësi.

S’do të ma lësh shpirtin në Nëntokë,
as s’do të lejosh që Shenjti yt të kalbet në dhe.
Ti do të ma tregosh udhën e jetës,
gëzimin e plotë para fytyrës sate,
kënaqjen e amshueshme në të djathtën tënde.

Leximi i dytë (1 Pj 1,17-21)

Në qoftë, pra, se ju e quani atë Atë që pa krahmbajtje gjykon gjithkënd sipas veprave të tij, kaloni kohën e shtegtimit mbi tokë me frikën e Zotit!
Dijeni mirë: nuk jeni shpërblyer nga mënyra e zbrazët e jetës suaj të trashëguar nga etërit me ndonjë gjë të shkatërrueshëm - argjend apo ar, por me gjak të paçmueshëm të Krishtit Qengjit të patëmetë e të panjollë.
Ai njëmend ishte i caktuar që para krijimit të rruzullit, por u dëftua në këto kohët e fundit për arsye tuaj.
Në saje të tij ju besoni në Hyjin që e ngjalli nga të vdekurit dhe i dha lavdi, kështu që feja juaj dhe shpesa të jenë në Hyjin.


Ungjilli (Lk 24, 13-35)

Po atë ditë, dy prej tyre, po shkonin në një fshat që quhet Emaus e është larg Jerusalemit gjashtëdhjetë stadje. Ata bisedonin me njëri-tjetrin për të gjitha këto ngjarje. Dhe ndodhi që, ndërsa ata po flisnin e po bisedonin kështu, vetë Jezusi u afrua dhe po ecte me ta. Por sytë e tyre ishin të penguar ta njihnin. Ai i pyeti: “Ç’janë këto fjalë që ju po i flisni mes jush udhës?”. Ata u ndalën të trishtuar e njëri prej tyre, ai që quhet Kleofë, iu përgjigj: “A thua je ti i vetmi nga të huajt në Jerusalem që nuk di çka ndodhi në të po në këto ditë?” Ai i pyeti: “Po çka?” Ata iu përgjigjën: “Çka i ndodhi Jezusit prej Nazaretit, që ishte profet i madh me vepra e me fjalë në sy të Hyjit e të mbarë popullit; si krerët e priftërinjve dhe këshilltarët tanë e dorëzuan të dënohet me vdekje dhe e kryqëzuan. Ne shpresonim se ai do ta çlironte Izraelin. E, përmbi të gjitha këto ‑ sot është e treta ditë që ndodhën këto ngjarje. Madje edhe disa gra prej tanëve na habitën: ato qenë në agim te varri e, pasi nuk e gjetën trupin e tij, erdhën e na thanë se iu dukën engjëjt e u thanë se ai është gjallë. Po edhe disa prej tanëve shkuan te varri dhe gjetën pikërisht ashtu si thanë gratë, por atë nuk e panë.” Ai u tha: “O të pamend e të ngadalshëm që të besoni gjithçka paralajmëruan profetët! Po a nuk u desh që Mesia t’i pësojë të gjitha e kështu të hyjë në lavdinë e vet?” E, që nga Moisiu e të gjithë profetët, u shtjelloi krejt çka flitet në Shkrimin e shenjtë për të. Kur iu afruan fshatit, ku ishin nisur, ai bëri gjasme po vazhdonte udhën. Po ata iu vunë: “Rri me ne se u bë natë e dita po shkon në të sosur!” Dhe hyri që të rrijë me ta.
Kur u ul me ta në tryezë, mori bukën, u falënderua, e theu dhe ua dha. Atyre iu hapën sytë dhe e njohën... Por ai u zhduk para syve të tyre. Atëherë i thanë njëri-tjetrit: “Po a nuk na ndizej zemra neve ndërsa po bisedonte udhës me ne dhe na shtjellonte Shkrimin e shenjtë?”
U çuan menjëherë, u kthyen në Jerusalem, i gjetën të mbledhur të njëmbëdhjetët dhe ata që ishin me ta. Të njëmbëdhjetët u thanë: “Me të vërtetë u ngjall Zotëria dhe iu dëftua Simonit!”
Atëherë edhe këta u treguan çka u ngjau udhës dhe si e njohën kur theu bukën.
****

Jezusi i ringjallur shfaqet në Eukaristi
Gjesti i “thyerjes së bukës” ishte aq i pasur dhe i dendur me domethënie për breznitë e para të krishtera, sa eukaristia u quajt për shumë kohë “thyerja e bukës”. Është i njëjti gjest që Jezusi përmbush për ne sot, duke na ftuar për t’u përsiatur mbi eukaristinë.

Sofra e Besëlidhjes së Re

Në të gjitha fetë natyrale, vakti i shenjtë është mbajtur gjithmonë si rit pët të komunikuar me hyjnoren. Për hebrenjtë, shenja e besëlidhjes me Hyjin ishte darka e pashkëve. Vakti që përkujtonte daljen nga Egjipti kishte si element thelbësor flijimin dhe konsumimin e qengjit, gjaku i të cilit ishte bërë shenjë e shpëtimit dhe e çlirimit. Çlirim jo aq nga skllavëria, sa nga e keqja e mëkatit: “nga të gjithë “Egjiptet” e jera që mund të lindin në fund të zemrës sonë”. Për këtë arsye, kushdoqë merrte pjesë në darkën e pashkëve, e dinte dhe besonte se ripërtërihej për të ndërhyrja e Hyjit për çlirim dhe shpëtim (Dal 12,24-27).
Zoti Jezus përdori elementet përkatës të një riti, i cili ishte familjar për nxënësit e tij, përdori një shenjë që në pamje të jashtme duket banale: një vakt të përbashkët. Duke ngrënë darkë me ta, themeloi banketin e besëlidhjes së re dhe të amshuar. E reja e madhe është kjo: nuk ka me një viktimë zëvëndësuese; qengji i vërtetë është vetë Jezusi, që bëhet ushqim për të vetët (Shih Gj 6,51.55.58). Me gjeste tejet të thjeshta bekon bukën, e thyen, e shpërndan: “Merrni e hani, ky është trupi im...”; pastaj u jep kelkun e thotë: “Ky kelk është besëlidhja e re, që Hyji e themelon nëpërmjet gjakut tim...” (Shih 1Kor 11,23-25). Ato gjeste, me domethënie të thjeshët e të dendur, kishin mbetur aq të ngulitur në kujtesën dhe në zemrën e të pranishmëve, saqë nxënësve të Emausit, të paaftë për ta njohur shtegtarin që eci përbri tyre gjatë rrugës, u shndritet mendja në çastin kur ai thyen bukën: u hapen sytë dhe e njohin Jezusin, Zotin, të Ringjallurin (ungjilli i kësaj të diele). Për të hyrë në misterin e kremtimit eukaristik, edhe i krishteri duhet të niset nga shenja e vaktit të përbashkët: “thyerja e bukës” e bashkësisë së vëllezërve bëhet vendi i privilegjuar i pranisë së Zotit të ringjallur.
Eukaristia, banketi i besëlidhjes së re, paralajmëron sofrën e besëlidhjes së amshuar, kur Krishti do të pijë me nxënësit e vet “verën e re” të mbretërisë së përsosur (shih Lk 22,18).

Pashkët tërësore

Dy leximet e para e orientojnë përsiatjen në gjurmët e dy dëshmive të Pjetrit: para judenjve ai merr fjalën për të kujtuar se pikërisht ata e kanë vrarë Jezusin e Nazaretit...; por Hyji e ka ringjallur (leximi i parë); të krishterëve të parë apostulli Pjetër u kujton gjendjen e tyre: të çliruar nga gjaku i qengjit, duhet të jetojnë, me anë të fesë dhe të shpresës, “jetën e re, që e kanë marrë falë meritave të Shpëtimtarit (shih leximin e dytë).
Është e qartë se gjendemi pëballë dialektikës vdekje – ringjallje , gjaku i Qengjit – dhurata e jetës së re: ky është realiteti i vërtetë, plotësia e misterit të pashkëve, kremtuar në Eukaristi.
“Pashkët” e të krishterit – si ato të Krishtit – janë pazgjidhshmërisht misteri i vdekje-jetës, mundim-ringjalljes. Me anë të Eukaristisë, misteri i pashkëve bëhet ritmi i ekzistencës së krishterë, e shenjuar konkretisht nga ngjarjet e vuajtjes dhe të vdekjes, të gëzimit dhe të jetës. Por fitorja është tashmë nga ana e jetës.

Ndarja e eukaristisë dhe ndarja e bukës

Eukaristia, na thotë Koncili II i Vatikanit, është “kulmi dhe burimi i tërë jetës së krishterë”. Bashkësia e krishterë nuk është një grup i mbledhur rreth një interesi humanitar, rreth një ideali filantropik, rreth një kodi moral. Ajo mblidhet rreth një personi: Krishtit të ringjallur, forca përbashkuese dhe forca shtytëse e bashkësisë.
Si dishepujt e Emausit, të shkurajuar dhe të zhgënjyer, pre e skepticizmit dhe e mosbesimit, bota e sotme njeh Krishtin kur të krishterët me të vërtetë dinë “të thyejnë bukën” . Eukaristia sjell rrjedhoja me përmasa të thella shoqërore. Të ndash bukën eukaristike do të thotë të kujtohesh se duhet të ndash edhe bukjën tjetër, duke u angazhuar për drejtësinë, solidaritetin, në mbrojtje të atyre të cilëve u vidhet buka për shkak të padrejtësive të njerëzve dhe të sistemeve shoqërore të gabuara. Ndarja e bukës eukaristike na detyron, për hir të koherencës, t’i shpërndajmë të mirat tona në mënyrë më të barabartë, duke luftuar kundër çdo pabarazie ekonomike, që të mos i mungojë askujt “buka e përditshme”. Kështu duhet të jetë në nivelin e klasave, të kombeve, të kontinenteve. Nëse nuk do të dimë ta thyejmë bukën tonë, besueshmëria jonë e krishterë do të kompromentohet dhe bota e nënzhvilluar do të kërkojë rrugë të tjera për të gjetur drejtësi, e shtyrë nga “zemërata e skamnorëve”.
(Nga www.maranatha.it)

Kremtimi i Eukaristisë
(Nga “Apologjia e Parë për të krishterët” e Shën Justinit, martir)

Askujt tjetër nuk i lejohet të marrë pjesë në Eukaristi, përveç atij që beson se janë të vërteta gjërat që ne mësojmë, që është pastruar me larjen e themeluar për faljen e mëkateve dhe rilindjen, e jeton sipas mësimit të Krishtit. Ne, në të vërtetë, besojmë se Jezu Krishti, shpëtimtari ynë, u bë njeri me ndërhyrjen e Fjalës së Hyjit. U bë njeri me mish e me gjak, për shpëtimin tonë. Besojmë gjithashtu se ai ushqim mbi të cilin është thënë lutja e falënderimit me të njëjtat fjalë që tha ai, ai ushqim që, i shndërruar, ushqen trupin tonë dhe gjakun tonë, është trupi dhe gjaku i Jezusit të bërë njeri.
Apostujt, në kujtimet që na kanë lënë dhe që quani ungjij, na kanë lënë të thënë se Jezusi ka urdhëruar kështu: Pasi e mori bukën dhe falënderoi, ai tha: “Bëjeni këtë në përkujtimin tim. Ky është trupi im”. Dhe në të njëjtën mënyrë, pasi e mori kelkun dhe falënderoi, tha: “Ky është gjaku im” dhe ua dha vetëm atyre.
Që atëherë ne e përkujtojmë gjithmonë këtë fakt në bashkësitë tona dhe kush nga ne ka ndojë gjë, ndihmon të gjithë ata që janë në nevojë dhe jemi gjithmonë të bashkuar. Për gjithçka me të cilën ushqehemi, e bekojmë krijuesin e universit nëpërmjet Birit të tij Jezusit dhe nëpërmjet Shpirtit të Shenjtë.
Dhe në ditën, që quhet dita e Diellit, bëhet mbledhja. Të gjithë ata që banojnë në qytet apo në fshat mblidhen në të njëjtin vend dhe lexohen kujtimet e apostujve ose shkrimet e profetëve për aq kohë sa kemi mundësi.
Pastaj, kur lexuesi përfundon, ai që e kryeson mbledhjen thotë disa fjalë udhëzuese dhe frymëzuese, të cilat në shtyjnë të imitojmë këto gjeste kaq të bukura.
Pastaj, të gjithë së bashku ngrihemi në këmbë dhe lutemi. Pasi i mbarojmë lutjet, sillet buka, vera dhe uji. Atëherë, ai që udhëheq, formulon lutjen e lavdërimit dhe të falënderimit me shumë përkushtim, ndërsa populli thërret: amen!. Në fund, të gjithë të pranishmëve u shpërndahen dhe u jepen elementet mbi të cilët qe thënë falënderimi dhe po këto elemente u çohen, me anë të diakonëve, atyre që nuk janë të pranishëm.
Në fund, ata që kanë shumë të mira, nëse dëshirojnë, japin si t’ua marrë mendja dhe sa të duan. Gjithçka që mblidhet, lihet tek ai që udhëheq dhe ai ndihmon jetimët, të vejat, ata që mungojnë për shkak të ndonjë sëmundjeje apo për shkak të ndonjë tjetër nevoje, të burgosurit dhe shtegtarët që vijnë nga jashtë. Me pak fjalë, kujdesemi për të gjithë nevojtarët.
Mblidhemi të gjithë së bashku në ditën e Diellit, si për faktin se kjo është dita e parë në të cilën Hyji, duke e shpërndarë errësirën dhe kaosin, krijoi botën, ashtu edhe për faktin se Jezu Krishti, Shpëtimtari ynë, u ringjall nga vdekja në të njëjtën ditë. E kryqëzuan ditën para ditës së Saturnit dhe të nesërmen e asaj dite, domethënë në ditën e Diellit, iu shfaq nxënësve të vet dhe u mësoi gjërat që u kemi përçuar, që t’i mbani mirë parasysh.
****

E njohën në thyerjen e bukës
(Raniero Cantalamessa)
Dy dishepujt e Emausit me shtegtarin e panjohur, duke folur e duke folur, kishin mbërritur te fshati. I panjohuri “bën sikur do të vijojë rrugën” (khs Lk 24,28). Nuk shtiret (Jezusi nuk shtiret kurrë!); ai me të vërtetë duhet të vijojë. Duhet të shkojë deri “në kufijtë e tokës” (khs Vep 1,8). Ndalet vetëm kur dikush i thotë me gjithë zemër: “Rri me ne, Zot”.
“Kur ishte në tryezë me ta, mori bukën, e bekoi, e theu dhe ua dha” (khs Lk 24,29). Solemniteti i gjesteve, analogjia me atë që bëri Jezusi në darkën e fundit nuk i la vend dyshimit: sipas ungjilltarit bëhet fjalë për një gjest eukaristik. Prej këndej Eukaristia do të marrë emrin fractio panis, thyerja e bukës.
“Atëherë iu hapën sytë dhe e njohën. Por ai u zhduk nga sytë e tyre” (Lk 24,31). Nuk duhet të na mahnisë fakti që, kur Jezusi shfaqet pas ringjalljes, në fillim dishepujt nuk e njohin (khs Lk 24,16). Ai nuk është ringjallur, si të themi, duke u kthyer pas, në jetën që kishte pasur para se të vdiste, por duke shkuar përpara, drejt një jete të re. Personi është po ai, por gjendja ka ndryshuar: nuk jeton më “sipas mishit” (Rm 8,12), por “sipas Shpirtit” (khs Gal 5,13).
Në rastin e nxënësve të Emausit, Luka ka dashur të na thotë diçka më shumë, domethënë se Jezusin e vërtetë e takojmë tashmë në trupin e tij eukaristik. Me “dukjet” e tij, Jezusi përgatit “zhdukjen” e tij. I edukon nxënësit që ta njohin, me sytë e fesë, në Eukaristinë, që është mënyra e re me të cilën do të bëhet i pranishëm për të vetët “deri në fund të botës” (Mt 28,20).
“Dhe u nisën pa ngurrim e u kthyen në Jeruzalem, ku gjetën të bashkuar të njëmbëdhjetët dhe të tjerët që ishin me ta, të cilët thoshin: ‘Me të vërtetë Zoti është ringjallur dhe i është shfaqur Simonit’. Ata, pastaj, treguan çfarë u kishte ndodhur gjatë rrugës dhe si e kishin njohur në thyerjen e bukës” (Lk 24,33-35).
Ata të dy nuk kanë më frikë për faktin se “është brëmje” (Lk 24,29). Kthehen me vrap në Jeruzalem. Dëgjojnë, tregojnë. Kishin “rilindur me një shpresë të gjallë falë ringjalljes së Krishtit nga të vdekurit” (khs 1Pj 1,3). Rilind dashuria për bashkësinë, nevoja për t’u takuar me shokët e fesë. Mësuesi është ringjallur dhe me atë të ringjallur, edhe jeta ringjallet. Dëshmia nuk është më një detyrim, është nevojë. Luka na ka shpjeguar, me këtë tregim të shkurtër, më mirë se me traktate të tëra, si lindi Kisha... dhe si do të rilindë ajo herë pas here.








All the contents on this site are copyrighted ©.