2014-05-02 13:45:03

Të administrohen pasuritë e Kishës me transparencë dhe me kujdes për të varfërit: kështu Papa, Këshillit për Ekonominë


Papa Françesku priti sot paradite anëtarët e Këshillit të ri për Ekonominë, që sot u mblodh për herë të parë. Pasi i falenderoi dhe kujtoi se ky Këshill është themeluar me Motu Proprio “Fidelis dispensator et prudens” të 24 shkurtit, Ati i Shenjtë nënvizoi se Vatikani e ndjen për detyrë të plotësojë misionin e përcaktuar në të. Vërtet, në Motu Proprio sqarohet se Kisha është e vetëdijshme për përgjegjësinë e saj në mbrojtjen dhe në administrimin e kujdesshëm të pasurive të saj, në dritën e misionit të ungjillëzimit, me vëmendje të veçantë për nevojtarët. “Nuk duhet të dalim nga kjo rrugë – tha Papa – transparencë e efikasitet… Gjithçka bëhet për këtë”. Ndryshimet i përgatisin udhën reformës së Kuries Romake, në mënyrë që t’i shërbehet sa më mirë Kishës e misionit të Shën Pjetrit.
“Nuk do të jetë e lehtë – thekson Ati i Shenjtë – kërkohet guxim e vendosmëri. Në administratat e ndryshme të Selisë së Shenjtë duhet të formohet një mendësi e re shërbimi ungjillor. Këshilli për Ekonominë luan një rol domethënës në këtë proces reformash; ka për detyrë të mbikqyrë administrimin ekonomik e të vigjëlojë mbi strukturat e veprimtaritë administrative e financiare të këtyre administratave; e kryen aktivitetin në marrëdhënie të ngushta me Sekretarinë për Ekonominë”.
Vetë Papa kujtoi se Këshilli përbëhet nga tetë kardinaj dhe shtatë laikë: të gjithë përfaqësues nga zona të ndryshme të botës. Laikët, nënvizoi, nuk janë anëtarë të dorës së dytë, por kontribuojnë njëlloj si të tjerët në punën e Këshillit. Duke iu uruar të gjithëve punë të mbarë, Ati i Shenjtë u kërkoi të luten për të.








All the contents on this site are copyrighted ©.