2014-05-02 13:19:58

Gjon Pali II: Fundi i komunizmit


Duke shfletuar librin “Kam jetuar me një shenjt” të kardinalit Stanislau Xhivish, mbërrijmë sot në udhëtimin e dytë të Papës Gjon Pali II në Poloni. Është viti 1983. Shtegtim i vështirë, pasi kishte rrezik që prania e Atit të Shenjtë të ligjëronte shtetrrethimin e deklaruar nga regjimi komunist, për të shpërndarë Solidarnoshin (sindikatën e parë të lirë të punëtorëve) e për të shtypur çdo lloj kryengritjeje. Gjenerali Jaruzelski, në dëshminë e tij për lumnimin e Karol Vojtilës, e përshkruan si një vizitë pa probleme këtë udhëtim, por nuk ka qenë kështu. Kardinali Xhivish sqaron se dy herë, Gjon Pali II deshi të kthehej mbrapsht.
Hera e parë, sapo mbërriti në aeroportin e Varshavës. Pavarësisht nga marrëveshja, komunistët i thanë se nuk ishte e mundur të takonte Lek Valesën. Papa pretendoi të respektohej ç’ishte thënë më parë, përndryshe do të kthehej në Romë. Vërtet, e takoi Lek Valesën në një rifuxhio të kontrolluar nga shërbimet sekrete, por Papa doli me të në korridor, duke arritur t’i jepte besueshmërinë e duhur liderit sindikalist, i sapoliruar nga arresti shtëpiak në Arlamov.
Hera e dytë që Gjon Pali II kërcënoi se do të kthehej në Vatikan, qe kur në Çestokovë, delegacioni qeveritar i kërkoi të mos fliste për Solidarnoshin. Por Papa vazhdoi të fliste. Synimi i tij ishte t’i mbante gjallë idealet e sindikatës me perspektivë rithemelimin e saj. E në bisedën përfundimtare me Jaruzelskin kërkoi haptas heqjen e gjendjes së luftës, duke e quajtur të padenjë e poshtëruese për kombin polak.
Udhëtimi qe vendimtar, siç do të ishte edhe ai i 1987-ës, jo vetëm sepse përforcoi shpirtërisht e moralisht Poloninë, por edhe sepse mbështeti atë proces lirie, që pas pak vjetësh do të çonte drejt rënies së Murit të Berlinit e në fundin e komunizmit.
Në “Kujtesë dhe Identitet”, libri i tij i fundit, Gjon Pali II shkruante: “e di mirë se do të ishte qesharake të mendohej se ka qenë Papa ai, që e ka shembur komunizmin me duart e veta…”. E megjithatë, është mëse e sigurtë se “viti i pabesueshëm 1989” (siç u quajt) nuk do të kishte ardhur kaq shpejt e pa gjakderdhje, nëse nuk do të kishte qenë Papa polak.
Gorbaçovi, lideri i ri rus i tranzicionit, u prit me dinjitet në Vatikan. Ati i Shenjtë, tregon kardinali Xhivish, pikërisht sepse e dinte rëndësinë historike të atij takimi, ishte përgatitur me lutje. Gorbaçovi e njihte doktrinën shoqërore të Gjon Palit II e në atë rast, mbeti i mahnitur nga personaliteti i Papës. Pranoi se kishte ardhur koha për ndryshime. E ftoi në Moskë, por Ati i Shenjtë i shpjegoi se priste edhe një ftesë nga Kisha ortodokse. Shkoi për të festuar lirinë e rigjetur në Pragë, atëherë, akoma Çekosllovaki. E duke i dhënë dorën Papës së parë sllav, presidenti Vaclav Havel, që gjashtë muaj më parë ishte akoma në burg, nuk mundi të mos thërrasë: “Është një mrekulli e vërtetë!” E ai, Karol Vojtila, kishte besuar gjithnjë në këtë mrekulli, i bindur se ajo ditë do të vinte.
“Më kanë treguar se një herë – shkruan kardinali Xhivish – shumë kohë para rënies së Murit, kishte pasur një mbledhje me Atin e Shenjtë. Ishin kardinali Kazaroli, Sekretari i Shtetit, imzot Martinez Somalo, atëherë mëkëmbës, e ndonjë prelat tjetër. Kishin filluar të flisnin për realitetin gjeopolitik, ashtu siç ishte atëherë në botë, por sidomos në Evropë e ndokush kishte vënë në dukje se komunizmi dukej tashmë i rrënjosur në ndërgjegjet e njerëzve. Ati i Shenjtë i kishte lënë të flisnin, pastaj, pa i kundërshtuar, kishte thënë: ‘Unë kam një vizion tjetër’ e kishte përvijuar një panoramë që, për të gjithë të pranishmit, në atë çast, nuk ishte e mundur as të imagjinohej e jo më të pranohej.
Vetëm më vonë, shumë më vonë, e kuptuan se ai kishte ditur të interpretonte shumë më parë se ata, historinë e Kishës e të botës”.








All the contents on this site are copyrighted ©.